Vendosni fjalën kyçe....

Sulm ndaj të pastrehëve, disa viktima nga të shtënat në Kanada


Shumë njerëz të pastrehë janë qëlluar dhe të paktën një ka vdekur në atë që duket të ketë qenë një seri sulmesh në Langley, një vendbanim afër Vankuverit, tha policia në British Columbia të hënën në mëngjes. Një i dyshuar u arrestua brenda një ore pas një alarmi që doli në publik.

Paralajmërimi i lëshuar në qytetin e Langley në orën 6:15 të mëngjesit me kohën lokale fliste për ‘skena të shumta të të shtënave’ dhe një incident pranë qytetit fqinj. Sulmuesi, i përshkruar si një burrë i bardhë, i veshur me një këmishë kamuflazhi të gjelbër dhe kominoshe ngjyrë kafe, thuhet se synonte ‘viktima kalimtare’.

“Ne kemi një të dyshuar mashkull në paraburgim.” – u tha gazetarëve rreshterja Rebecca Parslow e Policisë Mbretërore Kanadeze (RCMP). I dyshuari u arrestua pak para orës 7 të mëngjesit, shtoi ajo. Autoritetet tani po hetojnë nëse sulmuesi i dyshuar ka vepruar i vetëm.

Parslow nuk dha më shumë hollësi mbi numrin e viktimave, duke thënë vetëm se bëhej fjalë për ‘disa’. Policia beson se ky ishte një sulm i synuar ndaj njerëzve të pastrehë, shtoi ajo. Sipas mediave shtetërore kanadeze, të paktën një nga viktimat ka vdekur.

Langley dhe vendbanimi me të njëjtin emër ndodhen rreth 40 kilometra në juglindje të Vankuverit, pranë kufirit me SHBA-në.