Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj vlerësohet me titull nga Asambleja Parlamentare e Frankofonisë: Jam shumë i nderuar


Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është vlerësuar me titullin e lartë Komandant i Urdhrit të Plejadës së Frankofonisë dhe dialogut midis kulturave” nga Asambleja Parlamentare e Frankofonisë.

Veliaj shprehet se është shumë i lumtur për këtë titull që iu dorëzua nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, Francis Drouin në një ceremoni të organizuar pasditen e djeshme.

“Jam shumë i nderuar për titullin ‘, i cili m’u akordua dje nga Asambleja Parlamentare e Frankofonisë (APF).

Faleminderit nga zemra miqve të mirë, Presidentit Francis Drouin dhe ish Presidentit të APF-së, Jean-Charles Luperto – U jam mirënjohës që Tirana, përveçse Kryeqyteti Europian i Rinisë, këtë vit është edhe Kryeqyteti Botëror i Frankofonisë dhe mirëpret këtë javë punimet e Parlamentit Frankofon të Rinisë.”- shkruan Veliaj ndërsa publikon një video nga ceremonia.

Presidenti Drouin vlerësoi angazhimin e Veliajt për organizimin e Parlamentit Frankofon të Rinisë, i cili mbahet këtë javë në Tiranë, si dhe për politikat në mbështetje të rinisë.

Ndërsa ish-presidenti i APF-së, Jean-Charles Luperto, u shpreh se Veliaj është njeri i fjalës.

“Veliaj është njeriu i angazhimit, njeriu i fjalës, sepse në nëntor të vitit 2021, me rastin e Asamblesë Rajonale që u zhvillua në Tiranë, e ftoi Parlamentin të organizojë një aktivitet frankofon, në kuadër të Tiranës Kryeqyteti Europian i Rinisë. Këtë javë Tirana e meriton edhe titullin ‘Kryeqyteti Frankofon i Rinisë’. Qyteti juaj është sot më i hapur ndaj botës dhe dinamizmi juaj ka ndikuar shumë për këtë.”– tha ai.

Pas marrjes së titullit, Veliaj u shpreh: “Jam shumë i nderuar sot, shumë faleminderit për Medaljen e Plejadës. Nuk e di a e meritoj Urdhrin e Komandantit sepse zakonisht jam shërbëtori; kryesisht merrem me pastrimin e plehrave, kanalizimet e ujërave të zeza, ujësjellësin, varrezat, mbjelljen e pemëve. Jo shumë punë komanduese, por punë të thjeshta të qytetit, që megjithatë bëjnë diferencën në qytetin tonë. Ju jam shumë mirënjohës sot që vendosët që Tirana, në vitin e Kryeqytetit Europian të Rinisë, të jetë edhe Kryeqyteti Botëror i Frankofonisë.”