Vendosni fjalën kyçe....

Nga shkarkimi i Ahmetajt tek komentet për Doganat – Deklaratat e Metës sot


Një ditë pasi mori drejtimin e LSI-së dhe i ndryshoi emrin në “Partia e Lirisë”, ish-presidenti Ilir Meta siç kishte paralajmëruar ka dalë në një konferencë për mediat.

Dua ta nis këtë konferencë të parë shtypi duke ju falenderuar për mirëkuptimin dhe për ngritjen në lartësinë e momentit historik që kërkon dhe duke i hapur mbrëmë me vendim historik një rrugë të re një force të re politike si ‘Partia e Lirisë’.

I falenderoj të gjithë ata që nuk e kanë patur të lehtë për shkak të sakrificave të së kaluarës dhe nostalgjisë, dhe duke qenë krenar për ato sakrifica jam i ndërgjegjshëm se kjo betejë e madhe është e domosdoshme për të rivendosur përfundimisht në vend, demokracinë, Kushtetueshmërinë dhe për të fituar lirinë të gjithë shqiptarët pa përjashtim.

Së dyti dua të falenderoj të gjithë intelektualët që janë bashkuar që në minutën e parë si ambasadori Agim Nesho e të tjerë, pa eksperienca politike të mëparshme.”- tha Meta.

Kujtojmë se Monika Kryemadhi u dorëhoq nga drejtimi i LSI-së dhe në Konventën e djeshme Meta mori detyrën deri në zgjedhjen e kryetarit. Po ashtu ata njoftuan ndryshimin e emrit të partisë nga “Lëvizja Socialiste për Integrim” në “Partia e Lirisë”.

Pse ia ndryshoi emrin LSI në “Partia e Lirisë”

Në këtë Konferencë për Mediet, ish-presidenti Meta ka sqaruar se pse iu ndryshua emri Lëvizjes Socialiste për Integrim në “Partia e Lirisë”.

“Ajo konventë mori ato vendime në mënyrën më transparente. Nëse nuk janë dakord, e pranojnë referendumin dhe brenda forcës politikës.

S’e kemi vetëm në nivel kombëtar. Në çdo koment janë të lutur të kundërshtojnë.

Të jeni të sigurt që jo vetëm e pranuan, por është një emër i gjithë pranuar në shoqëri, pasi ka nevojë për aromë lirie. Gjithë kjo shtypje, kjo përmbysje ndaj qytetarëve të thjeshtë dhe në vështirësi ekonomike, kjo arrogancë tallëse, polarizim dhe patronazhim për të kontrolluar mendimet dhe idetë, s’ka, është shtypje që ka reagimin e vetë. ‘Partia e Lirisë” po vjen si një reagim ndaj kësaj shtypje të pabesë. Erdhën me premtime të tjera, po bëjnë krejt të kundërtën.”– tha Meta.

Sa të jem unë lider, nuk do bojkotohet asgjë në këtë vend

Meta ka konfirmuar se Partia e Lirisë do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore të ardhshme.

I pyetur nga gazetarët nëse do bojkotojë zgjedhjet, Meta u shpreh se për sa kohë do të jetë ai në krye të kësaj partie s’do bojkotohet asgjë, e aq më pak zgjedhjet.

“Për sa kohë të jem kryetar i saj asnjë sekondë nuk do bojkotoj asgjë në këtë vend, nuk do të ketë asnjë lloj bojkoti, as të seancave plenare, aq më tepër të më shkojë mendja për të bojkotuar zgjedhje. Qeveria do iki me protesta ose zgjedhje, ta bëjë zgjedhjen vetë.

Në demokraci kush ikën nga zgjedhjet është një dezertor, një kapitullues.”- tha Meta.

Thirrje Ramës: Shkarko urgjent arkëtarin e partisë dhe patronazhistët te Tatimet

Ish-presidenti i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të shkarkojë drejtorin e Doganave, Genti Gazheli, pasi denoncimeve të njëpasnjëshme të publikuara nga televizioni “Neës24”.

Meta gjithashtu i bëri thirrje Ramës që të heqë dhe patronazhistët që janë te Doganat dhe te Tatimet.

“Ndaj dua t’i bëj thirrje Ramës që të heqë urgjent arkëtarin e partisë nga Doganat dhe patronazhistet nga doganat dhe Tatimet.”– tha Meta.

Lidershipi socialist vdes për Doganat

Meta tha se lidershipi i Partisë Socialiste që në kohën e Fatos Nanos “vdiste për çik Doganë” dhe se ka qenë pikërisht kjo çështje që ka çuar në përplasjen e tij me Nanon, në krijimin e LSI-së dhe rrotacionin në vend.

“Mosmarrëveshjet e mia në atë kohë si ministër i Jashtëm me Fatos Nanon që ishte kryeministër se u bllokua marrëveshja e stabilizim asociimit se lidershipi socialist atëherë e për fat të keq akoma më shumë tani vdes për çik Doganë, këtë punën e Doganave këta e kanë problem shumë të madh dhe unë bëra tërë ata kundërshtarë kur isha kryeministër vetëm se mbylla traun e Doganave dhe ju e dini si u rritën të ardhurat. Këta për Doganat vdesin dhe atëherë për doganat e bllokuan integrimin evropian të Shqipërisë.

E atëhere unë i thashë atij zotërisë se unë nuk shkoj më në Bruksel për hajdutllëqet tuaja të gënjej. E u bë ajo përplasja e u krijua ajo forcë e re politike, falë asaj ndodhi rrotacioni në vend.”-deklaroi ai.                                                                                                         

Aleanca Basha-Rama më e hershme se 17 Maji

Meta tha se aleanca e Lulzim Bashës me Edi Ramën ka nisur që në reformën territoriale të viti 2014, për të punuar kundër LSI-së.

“Harta territoriale e u miratua me konsensus të plotë Rama-Basha. Bashkëpunimi dhe aleanca e tyre është më e hershme se 17 Maji. Unë atëherë i kërkova vazhdimisht z. Basha që të përfshihej në këtë reformë sepse nuk do të kalonte asgjë pa miratimin e PD. Unë kam insistuar dhe i kam çuar atij të ndjerin Bashkim Fino dhe Petrit Vasilin dhe të diskutonin, që të sillte edhe një projekt. I kam thënë silleni hartën e re me kritere, dhe do miratohet ajo që doni ju.

Ai kurrë nuk solli një projekt. Kjo sepse kishte rënë dakord me Ramën. I thoshte Rama: “Bëj si i mërzitu ti por pranojë këtë, dhe unë do të mbështes ku do të ketë kandidatë LSI-ja. Ti për të humbur për të humbur ke”. Kështu që marrëveshja ka qenë që në atë kohë.”– tha Meta.

Të rinjtë të punojnë e t’ja marrin PD-në Berishës

Mes të tjerash, Meta u bëri thirrje të rinjve që mos të kenë frikë nga vota e lirë, por të punojnë më shumë se sa Sali Berisha dhe t’ia marrin PD-në, e të mos bëjnë pazare me Edi Ramën.

“Shumë të rinj që janë marrë me politikë, kanë frikë nga vota e lirë. Ata duhet të punojnë. Edhe në PD të punojnë më shumë se Sali Berisha, të punojnë jo të bëjnë pazare me Ramën. Ta denoncojnë më shumë se qytetari dixhital. Të rrinë këtu jo si hyzmeqarë, por të punojnë, Ku hyri ky, ky doli këtu, ku i punon gruaja, këto janë turpe të mëdha.”– tha Meta.

S’kam konkurrencë me Berishën

Ai foli edhe lidhur me hipotezat se ekziston tashmë një konkurrencë mes tij dhe Sali Berishës se kush do të jetë drejtuesi i opozitës shqiptare.

Meta tha se kjo nuk ka rëndësi dhe se nuk ka konkurrencë me Berishën.

“Nuk është ky problemi ynë, se mund të jesh partia e parë e opozitës për 200 vjet por mund të jesh bishti i maxhorancës, pasi je i paaftë të gjenerosh një ndryshim.

Nuk kam unë asnjë konkurrencë me zotin Berisha. Nëse do të ketë një konkurrencë, që ai e pranon, është luftë e përditshme kundër kapjes së shtetit.”-u përgjigj Meta. Më pas ftoi çdo partner, çdo qytetar dhe gazetar që çdo denoncim që s’e bëjnë dot ta sjellin te ai dhe “Partia e Lirisë”.

Shkarkimi i Ahmetajt lojë e Ramës për të fituar kohë

Meta ka komentuar edhe shkarkimin e Arben Ahmetajt nga posti i zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Rindërtimin.

Sipas tij kjo është vetëm njuë lojë nga ana e kryeministrit Edi Rama për të fituar kohë.

“Ka kaluar koha e shkarkimit të zotit Rama. Këto janë lojëra për të përfituar kohë për t’i futur në një tenelatë. Ai është shkarkuar prej kohësh. Ngaqë populli e kuptonte që opozita të kishte rënë nën të. Nuk kishte çfarë të bënte për të ngritur një qeveri demokratike mbi gërmadhat e Rilindjes së mashtrimit. Emrin Rilindje e bëri për mashtrim. E shikoni vetë se çfarë kërdie bëjnë përditë. Pavarësisht se janë socialistë, e kuptojnë dhe e ndiejnë që ky është një regres për vendin dhe shoqërinë. Pavarësisht se punojnë në sektorë të ndryshme. Vjedhin në mënyrë të papërgjegjshme.”– tha ai.

Nuk kam nevojë për votat e ndërkombëtarëve

Kryetari i “Partisë së Lirisë” është pyetur nëse ka marrë urime nga diplomatët ndërkombëtarë në Tiranë për ndryshimin e emrit të LSI-së.

Ai nuk u përgjigj për këtë, por theksoi se nuk ka nevojë për vota dhe reagime nga ndërkombëtarët.

“Nuk kam asnjë shqetësim nëse ka ose jo reagime. I vetmi reagim është kur nuk reagojnë partizanët e reformës në drejtësi për skandalet në qeveri. Janë afera që i kam bërë të ditura me letra në dorë. Nuk pres të marr asnjë votë nga ndërkombëtarët.

Nuk dua kurrë as vota e as përkrahje.”– tha ai duke shtuar se çdo detyrim i Shqipërisë ndaj ndërkombëtarëve do plotësohet në mënyrë të shkëlqyer nga Partia e Lirisë.

2 gabimet e vetme të LSI-së

Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, Meta ka pranuar dhe dy gabimet që sipas tij ka bërë LSI.

“Të vetmet vendime që unë gjej shumë të papranueshme nga ish-lidershipi i LSI-së, ishte djegia e mandateve dhe çështja e zgjedhjeve vendore. Dënimi për ta është që të angazhohen 20 herë më shumë në luftën kundër korrupsionit. Afera e doganave, aferës së tatimeve, rrugëve. Banda e rrugëve është një bandë tjetër. Do merrem në mënyrë të veçantë me atë, pasi i di mirë kostot e rrugëve. Me gjithçka tjetër.”- u shpreh Meta.