Vendosni fjalën kyçe....

Ina Zhupa kërkon interpelancë urgjente me ministren Elva Margariti: Si e përzgjodhët Richard Hodges për të promovuar Butrintin


Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa i ka kërkuar Kuvendit që të zhvillojë një interpelancë urgjente me ministren e Kulturës, Elva Margariti, në seancën që pritet të mbahet këtë të enjte.

Zhupa kërkon që ministrja Margariti të shpjegojë se çfarë procedurash ka ndjekur për t’i ngarkuar Richard Hodges detyrën e mbrojtjes dhe promovimit të Parkut Kombëtar të Butrinit, deklaratat e të cilit ajo i konsideron një skandal të rëndë.

“Kërkesë për interpelancë urgjente me ministren e kulturës Elva Margariti.

Deklarimet anti-shqiptare dhe anti-kombëtare të Richard Hodges përbëjnë një skandal të rëndë, në kushtet kur ai është ngarkuar me detyrën e mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve, që mishërohet par excellence në Parkun Kombëtar të Butrintit. Procedura e përzgjedhjes së këtij ‘eksperti ndërkombëtar’, i cili e konsideron atdheun tonë një vend artificial dhe Butrintin si një zonë greke, të grabitur nga shqiptarët, mbeten shumë të dyshimta dhe kërkojnë sqarime të menjëhershme.

Është detyra e Ministrisë së Kulturës t’u shpjegojë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, që miratuan para pak ditësh një marrëveshje të posaçme me këtë Fondacion, dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë se si mundet një njeri i tillë të mbrojë pasuritë dhe trashëgiminë kulturore të tyre.

Kuvendi do mblidhet me siguri për të votuar ndryshimet e qeverisë por nuk mund të ketë çështje më të rëndësishme se kjo. Si deputet jemi votuar për të mbrojtur interesat e shqiptarëve dhe Shqipërisë dhe është e papranueshme për ne që një anti shqiptar të promovohet duke i lënë në duar Butrintin.”- shkruan Zhupa ndërsa publikon kërkesën e saj.

Kjo kërkesë nga deputetja demokrate vjen pas publikimit të videos së Richard Hodges ndërsa jepte leksion, ku deklaronte se Butrinti vite më parë nuk banohej nga asnjë shqiptar dhe i është dhënë padrejtësisht Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha në vitin 1913. Ndërsa sot është anëtari i bordit drejtues në agjencinë që do të administrojë Parkun Kombëtar të Butrintit.