Furnizimi me ujë i qytetarëve në rang vendi nuk paraqitet në parametra idealë, por sigurisht është shumë më mirë sesa pjesa tjetër që lidhet me mbulimin me kanalizime dhe trajnimin e ujërave të ndotura.
Të dhënat e fundit zyrtare të publikuara nga Enti Rregullator i Ujit tregojnë se në rang kombëtar vetëm 52 për qind e popullatës është e mbuluar në këtë aspekt. Në zona rurale kjo shifër zbret në 6 për qind çka parashtron nevojën e madhe për investime që ka në tërësi sektori i ujësjellës-kanalizimeve në këtë aspekt.
Konkretisht ERRU vlerëson se investimet nga viti në vit janë minimale.
“Treguesi i Mbulimit me Kanalizime është raporti i popullsisë që i ofrohet shërbimi i grumbullimit dhe i largimit të ujërave të ndotura me popullsinë në zonën e juridiksionit të një shoqërie UK. Shoqëritë të cilat ofrojnë këtë shërbim, arrijnë të mbulojnë në nivel kombëtar mesatarisht 52% të popullsisë nga 51.5% e raportuar në vitin 2020, me një rritje pothuajse të papërfillshme prej 0.5 % për të dytin vit radhazi.
Për vitin 2021, nga 11 (njëmbëdhjetë) impiantet ekzistuese, mbulimi me impiante të trajtimit të ujërave të ndotur është raportuar 12.17 % me një rritje prej 1.64% nga viti 2020. Për momentin vetëm 5 (pesë) shoqëri kanë në funksionim impiante trajtimi të ujërave të ndotura, përkatësisht UK Korçë, UK Pogradec, UK Durrës, UK Lezhë, UK Shkodër të cilat janë të licencuara nga ERRU për të ofruar këto shërbime” vlerëson ERRU.
Ky institucion analizon se nga të tre grupet, 16 shoqëri performojnë ndërmjet kufirit të performancës 50% dhe 75%, ndërsa shoqëritë e tjera arrijnë të mbulojnë me shërbim një përqindje të ulët të popullsisë në juridiksion.
“UK Selenicë, UK Peqin, UK Bulqizë dhe UK Memaliaj kanë raportim për herë të parë për mbulimin me shërbimet e KUN për vitin 2021. Në rang vendi nga 52% mbulim me shërbim të kanalizimeve, shihet që 46% ju ofrohet shërbim zonave urbane dhe vetëm 6% është për zonat rurale. Trajtimi i ujërave të ndotura kryhet nga 7 shoqëri UK Durrës, UK Korçë, UK Pogradec, UK Shkodër (ITUN Velipoje + ITUN Shirokë), UK Sarandë, UK Vlorë (ITUN Vlorë + ITUN Orikum) dhe UK Lezhë, por nga këto shoqëri kanë arritur të pajisen me licence nga ERRU vetëm 5 shoqëri (UK Durrës, UK Korçë, UK Pogradec, UK Lezhë dhe UK Shkodër) pasi shoqëritë e tjera nuk kanë mundur të pajisen me lejen mjedisore, gjë që ka sjellë pengesë në marrjen e kategorisë D për këto shoqëri” vlerëson Enti.
Ky i fundit thekson tek përfundimet se ndihet nevoja e rritjes së vëmendjes për investime në sektor, si në drejtim të zgjerimit të rrjeteve të mbledhjes dhe largimit të ujërave të ndotur, edhe të ndërtimit të impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura para se të derdhen në ambientin pritës.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al