Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj në mbledhjen e Këshillit Bashkiak: Vendimi i parë hap garën për ndërtimin e Teatrit Kombëtar


Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak ka deklaruar se është hapur gara për ndërtimin e Teatrit Kombëtar.

Ai u shpreh se gara për ndërtimin e Teatrit u shty për shkak të krizës së çmimeve që solli lufta në Ukrainë. Vendimi i parë në mbledhjen e sotme, sipas tij ka të bëjë pikërisht me reflektimin e një ndryshimi në buxhet lidhur me ndërtimin e Teatrit.

“Vendimi i parë ka të bëjë me projektvendimin e një ndryshimi në buxhet që në fakt reflekton vlerën e ndërtimit të Teatrit Kombëtar.

E di se në fund të vitit ne e kaluam në buxhet. Por asnjë prej nesh nuk e kishte pritur që më 24 shkurt lufta në Ukrainë do të sillte trazim total të tregjeve, sidomos në çmimet e hekurit, çelikut dhe të betonit. Kryesisht ndërtesat kanë këto elementët bazë.

Kështu që na doli tërësisht jashtë parashikimit. Prandaj ne e kishim të pamundur të hapnim një garë ndërkombëtare me çmimet e para luftës.  Kështu që duke bërë këtë reflektim, i kemi kërkuar Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Financave që të reflektojmë dhe të indeksojmë çmimin, pra që të ndërtojmë me çmimet që janë sot, sepse ndryshe ne rrezikojmë që të na dështojë kjo garë dhe të vazhdojmë me përsiatjet e betejave për teatrin, ku ju e dini fare mirë që futet edhe politika dhe njerëz që nuk kanë qenë ndonjëherë në teatër bëhen mjeshtra të teatrit.

Kemi marrë këtë vendim dhe duhet të reflektojmë ndryshimet në buxhet duke reflektuar çmimet e tregut të sotëm, duke pasur parasysh sesi ka kapërcyer bursa sot. Kjo çështja e teatrit është shumë sensitive dhe njerëzit janë emocionalisht të përfshirë. Disa absolutisht e duan projektin e ri dhe disa duan absolutisht të vjetrin. E kuptoj rëndësinë e detyrës time. Detyra ime nuk është të bëj gjithmonë gjënë popullore, por të bëjmë çfarë është më e mira për qytetin.”- tha Veliaj.

Veliaj tha se teatri që u shemb ishte një ngrehinë prej tallazhi dhe jo një monument kulture.

Më pas shtoi: “Sot me këtë vendim kalojmë fazën e fundit burokratike, hapim një garë ndërkombëtare për 60 ditë dhe pastaj me të shpallur fituesin ne fillojmë ndërtimin e Teatrit Kombëtar të Tiranës, projektin e Bjarke Ingels dhe do kemi ndoshta teatrin më modern  në Ballkan.”