Vendosni fjalën kyçe....

Punime të pakryera dhe shtim të shpenzimeve/ KLSH zbardh rezultatet e auditimit të projektit të rrugës Qukës-Qafë Plloçë


Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar një raport përfundimtar për auditimin e ushtruar në Autoritetin Rrugor Shqiptar, projekti “Ndërtim i rrugës Qukës-Qafë Plloçë”.

Nga ky raport janë zbuluar shkeljet e kryera nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Mbështetur në gjetjet nga auditimi, KLSH ka arritur në konkluzionin se nga strukturat drejtuese të projektit nuk janë marrë hapat e duhur për njoftimin në kohë të pasojave që sjell mos financimi i plotë i projektit, veçanërisht i lotit 3.

“Janë krijuar vonesa kryesisht në zbatimin e kontratave të punimeve civile, vonesa të cilat kanë rezultuar me vonesë të projektit në tërësi, ndryshimin herë pas here të planit të disbursimeve, si dhe kosto shtesë kryesisht si pasojë e zgjatjes së afatit të kontratave të shërbimeve konsulentë, konkretisht për mbikëqyrjen e punimeve.

Nga ana e ARRSH nuk janë marrë masat e duhura për realizimin e prokurimeve për shërbimin e projektimit, pasi projekt-zbatimi ka rezultuar me mangësi të theksuara.”– thuhet në raport.

Sipas KLSH-së, janë likuiduar volume punimesh të pakryera, janë likuiduar shpenzime për mjete që s’përdoreshin. Dëmi në buxhetin e shtetit llogaritet 33 mijë dollarë.

Në konkluzionet e auditimit thuhet se:

-Projektzbatimi origjinal është hartuar me mangësi të theksuara, sipas të cilave projekti është shoqëruar me rritje të konsiderueshme të kostos.

– Mungesa e financimit ka sjellë pasoja sipas të cilave vihet në diskutim vënia në funksion e rrugës, sidomos për lot 3.

– Për disa zëra punimesh janë bërë likuidime të pa argumentuara. Në mungesë të automjeteve të cilat duhet të viheshin në dispozicion të mbikëqyrësit të punimeve, ato janë furnizuar me vonesë, por edhe pse në mungesë të tyre janë likuiduar shërbime për to.

-Projekti është shoqëruar me vonesa si për arsye të mos angazhimit të Kontraktorit konformë grafikut të punimeve, ashtu edhe për vonesa në miratimin e ndryshimeve të nevojshme në projektin origjinal, veprim i cili është shoqëruar me rritje të kostos së projektit si pasojë e rritjes së shpenzimeve konsulente për mbikëqyrjen e punimeve si dhe vënie me vonesë në eficiencë të investimit, duke mos arritur përfitimet e parashikuara nga projekti.

– Pavarësisht faktit se zbatimi i kontratave është në proces, nga ana e mbikëqyrësit të punimeve nuk janë zbatuar siç duhet termat e kontratës, për monitorim, dhënie instruksionesh, certifikim pagesash, etj.

Ndërkohë, në raport janë evidentuar edhe disa nga gjetjet dhe shkeljet kryesore.

  1. Janë likuiduar shpenzime për automjete nëpërdorim të konsulentit, ndërkohë që automjetet nuk ishin vënë akoma në disponim.
  2. Janë likuiduar volume punimesh të pakryera në fakt, për 3 (tre) zëra punimesh, në shumën 10,259.86 USD pa TVSH e cila përbën dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit.
  3. Përveç punimeve të cilat nevojiten të realizohen, si pasojë e shtesës në afatin e përfundimit të punimeve. nevojiten edhe shpenzime të tjera të cilat nuk ndikojnë në efektivitetin e punimeve siç janë shpenzimet e përgjithshme. Deri në përfundimin e afatit të parashikuar me 31.03.2020, janë parashikuar shpenzime shtesë për sigurime, kosto e operimit të automjeteve në disponim të mbikëqyrësit të punimeve, kosto laboratori dhe pagesa për drejtues mjeti me vlerë 363,541 USD, vlerë e cila përbën efekt negativ financiar.Për periudhën nga data 31.03.2020, janë realizuar shpenzime të tjera për aksesin e mbikëyrësit të punimeve. Për këtë periudhë këto shpenzime janë shtuar me vlerë 577,055.6 USD, vlerë e cila konsiderohet efekt negativfinanciar, e cila vjen si pasojë e mos realizimit të punimeve në afatin e përcaktuar në kontratë. Kjo vlerë i shtohet shpenzimeve të përcaktuara në auditimin e mëparshëm me vlerë 363,541 USD.
  4. Në Lot 2, në një distancë rreth 300 m, trupi i rrugës është zhvendosur plotësisht duke bërë të papërdorshme edhe punimet e realizuara më parë për ndërtimin e murit mbajtës me gjatësi 150 m, shtresave rrugore, gërmimet etj. Nga përllogaritje të përafërta, vlera e punimeve të cilat janë realizuar dhe janë dëmtuar arrin në shumën 76 mijë USD,vlerë e cila përbën rritje të kostos së projektit.
  5. Në preventivin e punimeve për Lot 3, zëri 2.2 “Shërbime për stafin e inxhinierit” është parashikuar furnizimi i 12 automjeteve në shërbim të mbikëqyrësit të punimeve dhe PMU, ndërkohë që për dy lotët e tjera janë parashikuar 5 automjete. Bazuar në pagesat e realizuara si pasojë e parashikimit të pa argumentuar në preventivin origjinal të punimeve, për këtë segment është shpenzuar më tepër vlera 110,000 USD e cila përbën rritje të pa argumentuar të kostos së projektit.