Zbardhet letra e Autoritetit për Informimin mbi dokumentet e ish-sigurimit të Shtetit, drejtuar kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, letër e cila përmendte se një politikan i lartë me iniciale I.M rezultonte ish-bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit.
Kështu, sipas letrës së zbardhur rezulton se emri i politikanit të lartë të shtetit është ish-presidenti Ilir Meta.
“Në vijim të kërkesave dhe propozimeve tona të mëparshme, por sidomos duke marrë nxitje nga denoncimi më i fundit i ardhur në institucion mbi pastërtinë e figurës së një prej personaliteteve më të lartë të shtetit, siç është ish-presidentit i Republikës, Ilir Metaj, i pajisur me vertifikatë të pastërsisë së figurës nga Komisioni Mezini dhe Bezhani, e konformuar nga ana jonë me vendimin e autoritetit nr. 17, datë 28.04. 2017, rezulton se në fakt figuron në dokumentet e krijuara nga strukturat e ish-sigurimit të shtetit. Nëse institucioni do të ishte në kushtet e riverifikimit të pastërtisë së figurës së shtetasit Ilir Meta, gjë të cilën nuk na e lejon neni 29, pika 4, e ligjit funskional, rezultatet e kërkimit do të ndryshonin’. Ju përcjellim informacionin në lidhje me rastet më flagrantë të konstatuara nga institucioni, ku disa figura të rëndësishme, si A.D, Th.S, S.H, Xh.Sh, D.Ç dhe I.M, të cilat kanë pasur certifikatë të pastërtisë së figurës, figurojnë në dokumentet e krijuara nga ish-sigurimi i shtetit, raste të cilat duhet të mbahen parasysh në vlerësimin tuaj në lidhje me miratimin nga ana e Kuvendit të propozimeve për ndryshime ligjore.”- thuhet në dokument.
Vetëm pak më herët, Autoriteti i Dosjeve tha se politikani I.M. është vendosur në dijeni për këtë çështje. Madje sipas këtij dokumenti, I.M. i është dorëzuar materiali prej 140 faqesh që figuron në dosjet e ish-sigurimit të shtetit.
Kujtojmë se mbrëmjen e kaluar, zëdhënësi i ish-presidentit Meta reagoi përmes një postimi duke kërkuar publikimin e të gjithë dosjes.
“I bëjmë thirrje Autoritetit të Dosjeve të hapë që sot dhe të bëjë publike çdo dosje dhe informacion të sigurimit të shtetit dhe gjithçka tjetër, përfshirë edhe procesverbalet e organizatës së rinisë të asaj kohe! Jetojmë në kohën e ‘pavarësisë’ së institucioneve, por edhe të TRANSPARENCËS, që nuk do të ndalet.”– shkroi Tedi Blushi.