Vendosni fjalën kyçe....

Mesila Doda tregon çfarë foli me Lindita Nikollën: I thashë të kërkojë pastërtinë e figurës për 140 deputetët


Kryetarja e Grupit Parlamentar Demokraci dhe Integrim, Mesila Doda ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, pak pas takimit që pati më herët ditën e sotme me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikollën, për çështjen e autoritetit të Dosjeve.

Doda tha se i ka kërkuar Nikollës, që ajo të kërkojë pastërtinë e figurës për të 140 deputetët e Parlametit.

Sipas saj, sistemi ka dështuar për sa kohë ende flitet për bashkëpunim të Sigurimit pas 32 vitesh.

 “Sot pasi u njoha me materialin e dërguar për parlamentin nga Autoriteti për Informim i dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit i kërkova zyrtarisht Kryetares së Kuvendit znj.Lindita Nikolla të kërkojë pastërtinë e figurës për 140 deputetët e parlamentit të Shqipërisë dhe institucioneve në varësi.

Sot ju rikujtoj se në vitin 2014, unë dhe z. Shpëtim Idrizi iniciuam në Parlament ligjin për hapjen e dosjeve dhe lustracionin të cilin kjo maxhorancë nuk e votoi. Nëse ky ligj do ishte votuar sot nuk do kishim më asnjë debat të tillë në politikë drejtësi e siguri. Sistemi që ndërtuam ka dështuar për sa kohë ende flitet për bashkëpunim e bashkëpunëtor 32 vite mbas rënjës së rregjimit dhe kur e kaluara përdoret për të mbajtur peng politikën dhe drejtësinë në vend.

E vërteta të bën të lirë”- shkruan Doda.

Ky reagim vjen pas publikimit të dokumentit nga ana e Autoritetit të Dosjeve, ku thuhet se një politikan i lartë me inicialet I.M, që më pas doli se ishte ish-presidenti Ilir Meta kishte qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.