Vendosni fjalën kyçe....

Shkresa e Autoritetit të Dosjeve në 2017: Meta nuk ka asnjë pengesë për të kandiduar për President


Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka tronditur skenën politike në vend, pas deklaratës se ka arritur të vërtetojë që politikani i lartë me inicialet I.M, i aluduar si ish-presidenti Ilir Meta, ka bashkëpunuar me ish-Sigurimin e Shtetit.

AIDSSh tha se pas indikacionit nga një e-mail anonim, arriti të gjejë dosjen në fjalë, brenda së cilës dokumentohet dhe bashkëpunimi vullnetar i I.M me ish-Sigurimin duke spiunuar në atë kohë një shokun e tij që donte të arratisej jashtë vendit.

Por duket se AIDSSh sot mendon ndryshe nga sa mendonte në vitin 2017, pasi në atë kohë i dha Kuvendit dritën jeshile se Meta mund të bëhej President i Republikës.

Në këtë dokument shihet se si AIDSSh i kthehu përgjigje Kuvendit, që po verifikonte kriteret e kandidaturës së Metës në atë kohë si president i propozuar nga maxhoranca, duke thënë se nuk ka asnjë pengesë ligjore për të mos kandiduar.

“Gjithashtu, në zbatim të ligjit nr, 45 të vitit 2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, në dokumentacionin shoqërues të zotit Ilir Meta konstatohet se ka paraqitur një vërtetim nga autoriteti për informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në të cilin vërtetohet se zoti Ilir Meta nuk ka asnjë pengesë ligjore të parashikuar nga neni 29, pika 2, shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të ligjit “për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Më tej thuhet se vetë Meta ka deklaruar nën përgjegjësinë penale se nuk ka qenë anëtar apo bashkëpunëtor i ish-Sigurimit.

“Gjithashtu, ju keni në dosje një dokumentacion të zgjeruar të zotit Ilir Meta, formularin e vetëdeklarimit, një deklaratë të zotit Ilir Meta të nënshkruar prej tij, që deklaron në përgjegjësinë penale se nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor dhe i favorizuar i ish-Sigurimit të Shtetit, para 2 korrikut të vitit 1991. Njëkohësisht përgjigjen që ka sjellë autoriteti për informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, me shkresën numër 220/1 të datës 28 prill 2017. Ku thuhet nuk ka asnjë pengesë ligjore për të mos kandiduar”.

Atëherë nëse AIDSSh e ka nxjerrë Metën të pastër duke i dhënë “Ok” për të kandiduar si president dhe sot e nxjerr atë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, kë AIDSSh duhet të besojnë qytetarët, atë të 2017-ës apo këtë sot?

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e NewsBomb.al