Juristi i njohur dhe ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani thotë se Autoriteti i Dosjeve duhet të merret nën përgjegjësi penale, pas ngritjes së akuzave ndaj ish-presidentit Ilir Meta.
Në një postim në rrjetet sociale, Manjani shprehet se Autoriteti i Dosjeve e dinte shumë mirë se personi me inicialet I.M ishte një tjetër dhe jo Ilir Meta që njohim të gjithë, por qëllimisht prodhuan një informacion të rremë për të denigruar figurën e presidentit.
“E përsëris: Autoriteti i Dosjeve, ashtu siç është, duhet marrë nën përgjegjësi penale për shpërdorim të pastër të detyrës publike.
Me veprime aktive, ata kanë shpërdoruar detyrën me qëllim cenimin e dinjitetit të një personi tjetër. Ata e dinin se I.M nuk është Ilir Meta, por qëllimisht e prodhuan si informacion të rremë për të denigruar figurën e tij.
Me sjelljen e Tij politike nuk është e thënë të jesh dakord, por denigrimi me sajesa të qëllimshme, ku autoriteti ligjor i shtetit përdoret për politikë është i papranueshëm!”- shkruan Manjani.
Sips tij, më e rëndë akoma, është që Autoriteti keqorientoi edhe Kryetaren e Parlamentit Lindita Nikollën e cila në daljen e saj publike u bazua tërësisht në informacionin “e manipuluar nga ata”.
Manjani shton se kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj luajtën “shumë dobët këtë herë”.
Kujtojmë se ish-studenti i përmendur nga Autoriteti i Dosjeve se tentoi të arratisej në vitin 1989 por u spiunua nga shoku i tij me inicialet I.M, u rrëfye në një intervistë ekskluzive për Hashtag.al (lexo këtu) ku mohoi që I.M të ketë qenë ish-presidenti Meta.
KOMENTI I PLOTË I MANJANIT
E përsëris: Autoriteti i Dosjeve, ashtu siç është, duhet marrë nën përgjegjësi penale për shpërdorim të pastër të detyrës publike.
Me veprime aktive, ata kanë shpërdoruar detyrën me qëllim cenimin e dinjitetit të një personi tjetër. Ata e dinin se I.M nuk është Ilir Meta, por qëllimisht e prodhuan si informacion të rremë për të denigruar figurën e tij.
Me sjelljen e Tij politike nuk është e thënë të jesh dakord, por denigrimi me sajesa të qëllimshme, ku autoriteti ligjor i shtetit përdoret për politikë është i papranueshëm!
Më rëndë akoma, me veprimet e tij, palo Autoriteti keqorientoi edhe Kryetaren e Parlamentit, e cila në daljen e saj publike u bazua tërësisht në informacionin e manipuluar nga ata.
I njëjti informacion është prodhuar edhe për të devijuar Gjykatën Kushtetuese nga dhënia e drejtësisë kur gjykoi shkarkimin e Ilir Metës si President. Pra ata duhen vënë nën akuzë edhe për kallëzim të rremë ose pengim të drejtësisë në dhënien e vendimeve të drejta.
Autoriteti i Dosjeve kishte e ka detyrë ligjore të zbulojë të vërteta të së shkuarës e jo të manipulojë publikun, institucionet kushtetuese në vend dhe aq më pak të cenojë liritë dhe të drejtat themelore të individëve.
Nëse ky Autoritet nuk merret në përgjegjësi penale, atëherë e gjithë kjo vorbull e sajuar keq, trashë fare madje, atëhere kemi të bëjmë me veprime të një shteti të përfshirë fund e krye në veprimtari mafioze.
Marrja e atij Autoriteti, të degjeneruar në publik tashmë, në përgjegjësi penale është një shanc që shteti të distancohet nga barra e veprimtarisë mafioze që kryen pushteti politik monist.
Bashkë me drogimin dhe damkosjen botërore të vendit, pastrimin e parave dhe vjedhjet mafioze të pasurisë publike, përdorimi i institucioneve publike për denigrim të individëve e vulosin shtetin si mafioz.
Duam apo nuk duam, kjo është logjika që lexon këtë realitet.
Post scriptum: Ilir Metës i mjaftojnë “gjynahet” që ka nga sjellja e Tij publike në vite. Sajesat e kësaj natyre vetëm e ndihmojnë të rimëkëmbet. Dobët, shumë dobët luajtën Rama dhe Erioni këtë radhë.