Vendosni fjalën kyçe....

Policia Kufitare gjobit 25 drejtues “Jet ski” në bregdetin e Vlorës, bllokon 3 mjete motorike


Policia Kufitare përgjatë vijës bregdetare të qarkut Vlorë gjatë muajit korrik ka ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë të rinj secili, 25 drejtues të mjeteve lundruese, kryesisht “Jet ski”, nga të cilat 3 janë bllokuar.

Gjithashtu ka bllokuar edhe 2 mjete të tjera lundruese “Jet ski” dhe ndëshkohen me masë administrative pronarët e tyre, të cilët kryen manovra të rrezikshme, duke rrezikuar jetën e pushuesve, në plazhin e Ksamilit.

“Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë, në vijim të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, me qëllim krijimin e një ambienti të sigurtë për pushuesit, kanë marrë njoftim për dy shtetas që kryenin manovra të rrezikshme me mjete lundruese, në det, duke rrezikuar pushuesit.

Pas lokalizimit të dy mjeteve lundruese, në bazë të ligjit nr.127, datë 15.10.2020, neni 14/b, u ndëshkuan me masë administrative 10.000 lekë të rinj secili, pronarët e mjeteve lundruese, shtetasi E. H., banues në Sarandë dhe shtetasi K. K., banues në Tiranë. Gjithashtu u bë bllokimi i të dy mjeteve lundruese “Jet ski” me të cilët këta shtetas kryen manovra të rrezikshme, në plazhin e Ksamilit”-njofton policia.