Vendosni fjalën kyçe....

Ilir Meta: Autoriteti do të mbajë përgjegjësi ligjore, e di shumë mirë se s’kam qenë unë bashkëpunëtori i Sigurimit


Në një konferencë për mediet, kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka folur për pretendimet e ngritura nga Autoriteti i Dosjeve ndaj tij se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

Meta u shpreh se Autoriteti i Dosjeve e di shumë mirë që ai s’ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit dhe madje edhe kush ka qenë bashkëpunëtori në rastin që është ngritur.

Ai paralajmëron se Autoriteti do të mbajë përgjegjësi ligjore për këtë.

“Është një përgjegjësi e madhe të Autoritetit të Dosjeve që po përmenden emra në publik. Që dikur kanë qenë 19 vjeç dhe sot i kanë nga 20 vjeç fëmijët.

Duhet të zbatojë ligjin por edhe të kujdeset që mos rilëndohen viktimat e asaj periudhe për shkak të Sigurimit të Shtetit. Autoriteti e di mirë që jo vetëm s’kam qenë bashkëpunëtor i Sigurimit, e provuar që në 96 në kohën e të madhërishmit Sali Berisha… e dinë shumë mirë se kush ka qenë bashkëpunëtori në rastin konkret. Se ajo ndodhet në dy dosje.

 Ata që e kanë orkestruar këtë skenar e dinë shumë mirë që Ilir Meta nuk ka jetuar ndonjëherë në konvikt dhe nuk ka pasur ndonjë shok konviktor.

I ndjekuri nuk e ka diskutuar asnjëherë me Ilir Metën, kishte plane të dilte me të gjitha dhjeta dhe të bëhej pedagog në Fakultetin e Ekonomisë.

Autoriteti do të mbajë përgjegjësi ligjore për këtë shkelje që ka bërë dhe për atë kërkesë që i ka çuar Kuvendit pa asnjë fakt. Do të mbajnë përgjegjësi edhe personat e përfshirë. Atë dosje e kishe shumë të lehtë, nëse kishe një shqetësim serioze për këtë çështje, sepse Ilir Meta në çdo rast ka firmosur një kërkesë për t’u verifikuar dhe ka bërë të qartë që nuk ka pasur lidhje me Sigurimin e Shtetit.”– deklaroi Meta.

Ai shtoi: “Jam 1 milion përqind i pastër, e dinë shumë mirë këtë gjë, e dinë historinë. E di burimin e kësaj intrige për të manipuluar opinionin publik.”