Vendosni fjalën kyçe....

Kumbaro: Kemi sezon turistik të mbarë, muhabetet në Facebook janë pa shifra e metodologji


Ministrja e Turizmit Kumbaro i ka quajtur ‘muhabete’ diskutimet në rrjetet sociale mbi gjendjen e turizmit në vend.

Në një intervistë për emisionin ‘Kjo Javë’ në News24, shefja e Turizmit tha se sezoni deri tani paraqitet i mbarë por shtoi se analiza do bëhet në muajt e mëvonshëm.

Sipas Kumbaros, pjesa dërrmuese e hoteleve në Adriatik janë të rezervuara deri në mes të shtatorit ndërsa po aq mirë paraqiten sipas saj edhe hotelet në jug.

Komentet e Kumbaros vijnë mes diskutimeve në rrjetet sociale po edhe lajmeve në media mbi plazhet bosh në vend këtë sezon turistik.

“Deri në këtë pikë që jemi kemi një sezon të mbarë. Analizat përfundimtare do të bëhen më vonë, por kemi një sezon të mbarë. Më shumë se sa me shifra. Po marr vetëm muajin qershor, nga të dhënat e fundit të INSTAT. Nëse krahasojmë qershorin sivjet me atë të vitit 2019 jemi 40% më shumë në vizitorë të huaj që kanë hyrë në vend. Ndërsa jemi 52% më shumë krahasuar me qershorin 2021. Kemi burime të tjera informatash që na vijnë nga operatorët turistikë e hotelet. Praktikisht pjesa e Kavajës, Durrës, Shëngjin, Velipojë është e rezervuar deri në 15 shtator. Edhe plazhet e jugut janë gjithashtu shumë mirë. Komente që bëhen në rrjet pa asnjë sondazh shifër, metodologji apo sistem. Facebook sokaku i madh i muhabeteve dhe unë nuk kam asnjë problem me këtë, unë i quaj muhabete. Unë flas për të dhënë që vijnë nga hotelieret.” – tha Kumbaro.