Vendosni fjalën kyçe....

Berisha pas vizitës në familjen Avdia: Dënoj papërgjegjshmërinë e Ramës dhe ministrave të tij vampirë, do jem sot në protestë


Kreu i PD-së Sali Berisha zhvilloi këtë të enjte një vizitë ngushëllimi në familjen e vogëlushes 7-vjeçare që humbi jetën në plazhin e Potamit në Himarë.

“Unë erdha për të shprehur ngushëllime më të ndjera të miat, të familjes time dhe të PD-së.

Erdha si qytetar, për familjen e Jonadës, e cila humbi jetën në një krim horror që ka tronditur thellë çdo shqiptar. Kjo ngjarje ka tronditur çdo njeri. Si ngjarje, si krim i shëmtuar.

Duhej të ishe vetëm një individ si ai që e kreu, se kurrë nuk mund të ndodhte një akt i tillë.

Një akt i tillë është jashtë përfytyrimit për një qytetar të thjeshtë, po të kryhej nga një qytetar i thjeshtë.

Por në fakt ky akt u krye nga një njeri i qeverisë, ky akt u krye me një mjet monstruoz krimi, siç ishte skafi me 600 kuaj fuqi.

Ky akt u krye në distancën më të afërt me rërën, tre-katër metra, në prani të qindra fëmijëve, pushuesve të tjera, që loznin aty.

Në këtë aspekt, komisari nuk është asgjë tjetër veçse një xhelat. Krimi është një dëshmi e një shteti të mbushur me të tillë.”– tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij, Berisha kritikoi kryeministrin Edi Rama për qëndrimet e tij dhe sulmet ndaj gazetarëve, në vend të shkarkonte nga detyra ministrin e Brendshëm Bledi Çuçin.

“Ju i keni vetë rastet. Nuk është rasti për t’i numëruar këtu me radhë vdekjet në stacionet e policisë, vrasjet brenda stacioneve të policisë.

Nuk është pra, rastësi që ky xhelat skafist nuk bëri asgjë tjetër, veçse imitoi ministrin e tij me skaf.

Edi Rama flet në mënyrën më të përçartur për vampirë politikë dhe mediatikë.

Po të hymë në fushën e vampirëve, vampiri dhe xhelati ishte ai që vrau fëmijën pranë babait të tij.

Ajo që e bën më të rëndë këtë dramë është se kryeministri i vendit, në vend që të shkarkojë ministrin e familjes, Çuçi, i vërsulet gazetarëve dhe politikanëve dhe i krahason ata me vampirë politikë.

Pra, tregon se mban anën e vampirëve të vërtetë.

Unë shfrytëzoj rastin të shpreh edhe njëherë ngushëllimet më të ndjera kësaj familje fisnike, fisnikë të vërtetë dhe të dënoj me forcën më të madhe këtë akt barbar, të dënoj qëndrimin e papërgjegjshëm të Edi Ramës, ministrave të tij, të cilët konstatojnë apo shohin vampirë tek ata që ngrenë zërin për të dënuar një krim horror, i cili do të trondiste çdo vend të botës.”– tha ai.

Berisha deklaroi gjithashtu se do jetë i pranishëm sot në protestën e qytetarëve: “Patjetër. Do jem në protestë si qytetar. Protesta është e qytetarëve. Demokratët do jenë në protestë si qytetarë.”

Ai i bëri këto komente pas vizitës së ngushëllimit në familjen Avdia.