Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-policin Arjan Tase, i cili akuzohet për vrasjen e një vajze 7-vjeçare teksa drejtonte gomonnen në plazhin e Potamit në Himarë.
Seanca drejtohej nga gjyqtarja, Viola Canaj ndërsa prokurore e çështjes është Eranda Lazaj.
Sipas “Report TV”, ndaj Tases rëndon akuza për “vrasje me dashje indirekte” dhe jo “vrasje nga pakujdesia”, që ishte akuzuar më herët. Me akuzën e re të ngritur nga organi i akuzës, Tase rrezikon nga 10-20 vite burg.
Në seancë Tase ka qenë fjalë pak dhe është shfaqur i penduar. Ai ka pranuar krimin dhe ka deklarurar se nuk do ta ankimojë, ndërsa i ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe u ka kërkuar falje.
Kujtojmë se më herët Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e ka klasifikuar ngjarjen si një vrasje nga pakujdesia, e cila parashikon një dënim nga gjobë deri në 5 vite burg.
Arjan Tase ka qenë më parë shef i Policisë në Himarë, ndërsa së fundmi mbante postin e shefit të Policimit në Elbasan.