Gazeta më e lexuar në Mbretërinë e Bashkuar “The Sun” ka shkruar për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Himarë mesditën e 2 gushtit.
Incidentin gazeta britanike e përshkruan si “horror” në plazh, ku 7-vjeccarja humbi jetën pasi u godit nga një mjet lundrues, i cili drejtohej nga një shef policie që ishte jashtë detyrës.
E vogla me të drejtë përshkruhet si një “vajzë britanike” nga mediet dhe autoritetet britanike duke qenë se ajo ka lindur dhe jetonte atje, pavarësisht se origjina e saj është shqiptare.
“Një vajzë britanike ka vdekur pasi u godit nga një skaf që dyshohet se drejtohej nga një shef policie jashtë detyrës në Shqipëri.
Jonada Avdia, 7-vjeçe mbeti e vdekur teksa po notonte me të atin në plazhin e Potamit në Himarë.
E reja, nga Barking, Londra Lindore, ishte me pushime me familjen e saj në vendin e lindjes së prindërve të saj.”- shkruan gazeta.
“The Sun” shkruan dhe për policin Arjan Tase, i cili u arrestua pas aksidentit dhe sot do të dilte para gjykatgës për t’u njohur me masën e sigurisë.
Më pas, shkrimi përshkruan se si Jonada e vogël po notonte disa metra larg bregut, kur u godit nga mjeti lundrues.
Në artikull përfshihet dhe postimi prekës i pedagogut Bislim Ahmetaj, i cili zbulonte një bisedë që ka bërë me babain e vajzës, Bledarin.
Babai i pikëlluar i tha atij se e kishte vajzën për dore kur ajo u godit dhe tha: “Unë duhet të kisha vdekur dhe jo Jonada”.
Kujtojmë se ditën pas aksidentit, i gjendur nën presionin publik kryeministri Edi Rama reagoi përmes një postimi në “Twitter” duke e cilësuar sezonin turistik në vendin tonë si “sezoni më i organizuar, më i rregullt e më i pastër”, e deri dje, sipas tij, edhe më i sigurti. Por me këtë tragjedi, sezoni “më i sigurtë” i Ramës e mori edhe PR-in negativ përmes shkrimeve në media si “The Sun”, ku turisti britanik do mendohej dy herë para se të nisej për Shqipëri.