Ish-shefi i shërbimit informativ Fatos Klosi bëri një deklaratë të çuditshme disa ditë më parë, deklaratë kjo e ardhur fill pasi u demontua fabula evazive e të ashtuquajturës “lidhja e Ilir Metës me sigurimin e shtetit”.
Pasi personi i përndjekur Filip Talo foli në vetë të parë dhe e përjashtoi Metën, Fatos Klosi hapi një rruazë tjetër duke pretenduar se bashkëpunimi Meta-Berisha ishte vërtetuar sipas tij në interceptimin e vitit 1997 mes ambasadorit Italian Paolo Foresti dhe ish-zyrtarit të lartë të PD-së, Tritan Shehu.
Për të kuptuar diçka më tepër Hashtag.al u interesua për këtë përgjim. Rezulton se ky përgjim është publikuar në gazetën Indipendent në vitin 1997 dhe skandali bëri shumë bujë asokohe.
Me gjithë materialin dhe investigimin e bërë nga Indipendent asokohe rezultojnë mbi 20 emra politikanësh shqiptarë ose të huaj të lidhur me çështjen por jo ai i Ilir Metës.
Nisur nga këto të dhëna do ishte e udhës që zoti Klosi ose të përcaktonte qartësisht ekstraktin e përgjimit që ai posedon dhe që mund të mos ketë lidhje me përgjimin e bërë publik në vitin 1997 ose në të kundërt zoti Klosi automatikisht zbulohet si manipulator dhe mashtrues nën dritën e të dhënave të arkivës mbi këtë çështje. Çka do të ishte një precedent shumë i turpshëm për prestigjin e Shërbimit Inteligjent Shqiptar, ndërsa një ish-drejtues i këtij shërbimi del dhe bën lloqe pazari me histori që në konceptin e tij mund të jenë të vështira për tu zbërthyer për shkak të distancës të largët kohore./ Hashtag.al
Mund të lexoni të plotë shkrimet e investigimit të Indipendent në vitin 1997 mbi këtë çështje.