Vendosni fjalën kyçe....

Nju Jorku njofton rrezikun për poliomelit, gjen virusin në dy qarqe


Qindra amerikanë mund të jenë të infektuar me poliovirus, pretenduan të premten autoritetet shëndetësore të shtetit të Nju Jorkut, pasi identifikuan virusin në mostrat e ujërave të zeza në dy qarqe të ndryshme.

Sipas Komisioneres Shtetërore të Shëndetësisë, Dr. Mary Bassett, siç kanë treguar shpërthimet e mëparshme të poliomielitit, ‘njujorkezët duhet të dinë se për çdo rast të vëzhguar të poliomielitit paralitik, mund të ketë qindra njerëz të tjerë të infektuar’.

“Së bashku me gjetjet më të fundit të ujërave të zeza, Departamenti po e trajton rastin e vetëm të poliomielitit si vetëm maja e ajsbergut të përhapjes shumë më të madhe të mundshme. Ndërsa mësojmë më shumë, ajo që dimë është e qartë: rreziku i poliomielitit është i pranishëm sot në Nju Jork.” – shtoi Bassett.

Mostrat e poliomielitit u morën nga dy vende të ndryshme në Orange County në qershor dhe korrik, si dhe një vend në Rockland County në korrik, sipas Departamentit të Shëndetit të Shtetit të Nju Jorkut.

Në fund të korrikut, zyrtarët shëndetësorë të Nju Jorkut identifikuan rastin e parë të poliomielitit në gati një dekadë në SHBA. Viktima ishte një burrë 20-vjeçar i paidentifikuar nga Rockland County, i cili me sa duket  u infektua nga një lloj virusi të rrjedhur nga vaksina dhe filloi të përjetonte dobësi dhe paralizë.

Autoritetet vunë në dukje se provat e disponueshme nuk tregojnë se burri ishte burimi i transmetimit, duke shtuar se ‘hetimi për origjinën e virusit është në vazhdim’.

Ata gjithashtu thanë se po punonin për të zbatuar masa parandaluese, veçanërisht në klinikat e vaksinimit, duke shtuar se ‘mënyra më e mirë për të mbajtur Nju Jorkun pa poliomielit është të ruani imunitet të lartë në të gjithë popullatën përmes vaksinimit’.

Përballë një krize tjetër të mundshme që mund të ndjekë gjurmët e pandemisë Covid-19 dhe shpërthimit të lisë së majmunëve, Departamenti i Shëndetësisë nxiti ata që nuk e kanë bërë këtë që të vaksinohen menjëherë.

Ai tha gjithashtu se ata që jetojnë, punojnë, shkojnë në shkollë ose vizitojnë Rockland County, Orange County dhe zonën më të madhe metropolitane të Nju Jorkut janë në rrezikun më të lartë të prekjes nga virusi.

SHBA zhduku poliomielitin në vitin 1979 dhe që atëherë nuk kishte raportuar një rast të ri me origjinë brenda vendit. Gjatë katër dekadave të fundit, infeksione të reja janë raportuar vetëm tek njerëzit që e kanë sjellë virusin nga jashtë.

Edhe pse poliomieliti është i pashërueshëm, ai mund të parandalohet përmes vaksinimit, thanë autoritetet shëndetësore. Vaksina është 99% efektive tek fëmijët që marrin të gjitha dozat e kërkuara, ndërsa rreth 93% e amerikanëve marrin të paktën tre doza në kohën kur janë të vegjël.

Polio, ose poliomielit, është një sëmundje kërcënuese për jetën dhe jashtëzakonisht ngjitëse që mund të transmetohet nga individë që nuk shfaqin simptoma. Në rastet më të këqija, mund të prekë trurin dhe palcën kurrizore, duke shkaktuar meningjit ose paralizë.