Izraeli thotë se ka vrarë një militant tjetër të lartë nga grupi i Xhihadit Islamik Palestinez, ndërsa numri i të vdekurve vazhdon të rritet nga sulmet ajrore në Gaza.
Gjashtë fëmijë dhe disa luftëtarë të PIJ-së, përfshirë dy udhëheqësit Khaled Mansour dhe Tayseer Jabari, janë në mesin e 32 palestinezëve të raportuar se kanë vdekur.
Siç shkruan BBC, rreth 600 raketa dhe mortaja palestineze janë hedhur në drejtim të Izraelit që nga e premtja. Një zyrtar izraelit thotë se operacioni nisi për shkak të “kërcënimit të menjëhershëm” nga PIJ.
Ky është shpërthimi më serioz midis Izraelit dhe Gazës që nga konflikti 11-ditor i Majit të 2021-shit që la më shumë se 200 palestinezë dhe dhjetëra izraelitë të vdekur.
Ushtria izraelite paralajmëron se ky operacion i fundit, i koduar “Breaking Dawn” mund të zgjasë për një javë.
Të dielën, raketat palestineze të lëshuara nga Rripi i Gazës arritën në Jerusalem për herë të parë që nga konflikti i vitit 2021.
Sulmet erdhën pasi Izraeli vrau udhëheqësin e lartë të PIJ-së Khaled Mansour në një sulm ajror në një shtëpi në kampin e refugjatëve Rafah në Gazën jugore. Komandanti i kishte mbijetuar më parë pesë tentativave për vrasje nga ushtria izraelite, e cila e akuzoi atë për planifikimin e operacioneve militante jashtë Gazës.