Vendosni fjalën kyçe....

Nesër protesta e radhës për ngjarjen e Himarës, Berisha: Mbështetje e plotë


Protesta e tri ditëve më parë u mbyll me një ultimatum për kryeministrin Edi Rama: Shkarkimin e dy ministrave Bledi Çuçi dhe Mirela Kumbaro si dhe kreut të Policisë Gledis Nano deri ditën e hënë.

Kështu, në një kohë kur s’ka asnjë shkarkim të dy ministrave, qytetarë dhe aktivistë do dalin sërish nesër të kërkojnë drejtësi për Jonadën e vogël, 7-vjeçaren që u vra nga skafi i drejtuar prej komisarit Arjan Tase.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka shprehur mbështetjen e tij për këtë protestë të radhës në një postim në rrjetet sociale.

“Nesër qytetarët në protestë. Mbështetje të plotë protestës së tyre!”– shkruan ai ndërsa shpërndan një poster të protestës ku përsëritet kërkesa për shkarkimin e tre zyrtarëve.

Kujtojmë se Berisha ishte i pranishëm në protestën e mbajtur të enjten e 4 gushtit para Ministrisë së Brendshme dhe kryeministrisë, ku u shfaq krah kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta.