Ish-i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell ka ka biseduar në telefon me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi i cili gjendet në paraburgim në Hagë.
Përmes një postimi në Twitter, Grenell tha se është i bindur që nëse Thaçi do të ishte president i vendit, populli i Kosovës do të ishte në paqe.
Në këtë mënyrë Grenell edhe njëherë indirekt kërkon të përçojë mesazhin se me drejtuesit aktualë Kosova nuk është në paqe.
“Sapo bisedova me Hashim Thaçin nga burgu në Hagë. Jam i bindur se populli i Kosovës do të ishte në paqe nëse ai do të ishte ende President. Ata gjithashtu do të kishin bashkëpunim më të madh ekonomik me fqinjët e tyre – dhe më shumë punë për fëmijët e tyre nëse Thaçi do të kthehej”, ka shkruar Grenell.
Për disa ditë rresht Grenell ka sulmuar Kurtin, duke e kundërshtuar atë për vendosjen e reciprocitetit për letërnjoftimet e targat e qytetarëve serbë në Kosovë. Madje Grenell e ka quajtur edhe fashist Albin Kurtin.