Vendosni fjalën kyçe....

Grafiku, sa e ka reflektuar çmimi i naftës në vend uljen në bursat ndërkombëtare


Në fund të shkurtit 2022, nafta në vend po tregtohej afër niveleve historike maksimale, në kuotat e 192 lekë për litër, pasi në bursat ndërkombëtare Platss (treguesi refrencë i naftës së përpunuar, që importohet nga tregu vendas) kishte arritur në 885 dollarë për ton.

Në ditët e para të marsit, pas fillimit të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, çmimet e naftës në bursa u rritën me shpejtësi, si rrjedhojë e pasigurive që shkaktoi lufta në furnizimin me arin e zi.

Pasi nafta në bursa arriti në 1400 usd/ton në datën 8 mars, në tregun vendas ajo u ngjit në 260 lekë për litër, nivel rekord historik.

Në 12 mars filloi funksionimin Bordi i Transparencës i krijuar nga qeveria, që vendosi periodikisht çmimet tavan të shumicës dhe pakicës për operatorët bazuar në një formulë që merrte në konsideratë çmimin e blerjes në bursa, taksat, kostot operative, marzhin e fitimit, kursin e këmbimit të dollarit (monedha me të cilën blihet nafta në bursa).

Grafiku i mëposhtëm tregon se pavarësisht ndërhyrjes, çmimet e naftës kanë vijuar të reflektojnë ecurinë e bursave, duke arritur në një tjetër rekord të ri prej 265 lekësh në 17 qershor, kur nafta në bursa kërceu në 1440 dollarë për ton.

Në ditët në vijim, nafta shënoi rënie si në tregun ndërkombëtar ashtu dhe atë vendas, por ritmet e uljes së çmimit tek ne ishin më të ngadalta se në bursë.

Sipas operatorëve të tregut kjo shpjegohet me mbiçmimin e dollarit, që arriti në 114 lekë, nga rreth 109 lekë që ishte në fund të shkurtit, rritjen e kostove të transportit, pasi furnitorët kryesore u larguan nga Rusia dhe iu drejtuan tregjeve më të largëta në Lindjen e mesme, mbylljes së shumë rafinerive të përpunimit si dhe ndryshimi i kontratave nga FOB në CIF që shtoi kostot shtesë për sigurim dhe ngarkim në port (diferenca mes ndryshimit të kontratës nga FOB në CIF është 25-60 dollarë për ton).

Në datën 9 gusht, në tregun vendas nafta tregtohej me 216 lekë për litër, pasi e uli me 4 lekë për litër, ndërsa në bursat ndërkombëtare Platss zbriti në 930 dollarë për ton.

Në krahasim me ditët e para të marsit, kur nafta në bursa ishte pothuajse në të njëjtat nivele si sot, karburanti në vend është 13% më i shtrenjtë, ndërsa në raport me nivelet më të larta që arriti në qershor, çmimi ka rënë me 18%.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al