Vendosni fjalën kyçe....

“Kina po përgatitet për të na pushtuar” – Tajvani jep alarmin


Kina po përdor stërvitjet e saj ushtarake në shkallë të gjerë rreth Tajvanit për t’u përgatitur për një pushtim të ishullit të vetëqeverisur, pohoi të martën ministri i Jashtëm i Taipeit, Joseph Wu.

“Kina ka përdorur stërvitjet e saj ushtarake për t’u përgatitur për pushtimin e Tajvanit.” – tha Ëu gjatë një konference për shtyp.

Pekini po angazhohet në ‘stërvitje ushtarake në shkallë të gjerë dhe lëshime raketash, si dhe sulme kibernetike, një fushatë dezinformimi dhe shtrëngim ekonomik në mënyrë që të dobësojë moralin publik në Tajvan’, këmbënguli diplomati.

Kina nisi stërvitje luftarake duke përfshirë stërvitje me zjarr të vërtetë në gjashtë zona detare rreth Tajvanit javën e kaluar në përgjigje të vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nanacy Pelosi në ishull.

Sipas ministrit, stërvitjet po kryheshin ende në ngushticën e Tajvanit të hënën, pavarësisht se Pekini tha më herët se ato do përfundonin gjatë fundjavës.

“Synimi i vërtetë i Kinës është të ndryshojë status quo-në në ngushticën e Tajvanit dhe në të gjithë rajonin.” – pohoi ai.

Wu i etiketoi ushtrimet një ‘shkelje të rëndë të të drejtave të Tajvanit’ dhe një përpjekje nga Pekini për të marrë kontrollin e ujërave përreth Tajvanit dhe më gjerë në Azi-Paqësorin.

Ministri po fliste pasi Taipei organizoi stërvitjet e veta me zjarr të vërtetë, duke simuluar mbrojtjen kundër një sulmi në ishull.

Ministria e Mbrojtjes e Kinës tha të hënën se ushtria po vazhdonte stërvitjet e saj në ujërat dhe hapësirën ajrore rreth ishullit të Tajvanit, duke u përqendruar kryesisht në operacionet kundër nëndetëseve dhe sulmeve ajrore në det.

Udhëtimi i Pelosit javën e kaluar, që e bëri atë zyrtaren më të lartë amerikane që vizitoi Tajvanin që nga viti 1997, shkaktoi një reagim të fortë nga Pekini, i cili e sheh ishullin si pjesë të territorit të tij.

Përveç shpalljes së stërvitjeve të tij më të mëdha ushtarake ndonjëherë në ngushticën e Tajvanit, Pekini vendosi kufizime tregtare në Taipei dhe sanksionoi kryetaren e Dhomës dhe familjen e saj.

Tajvani ka qenë i vetëqeverisur që nga viti 1949, por kurrë nuk shpalli zyrtarisht pavarësinë nga Pekini. Pavarësisht se zyrtarisht e njohin politikën ‘Një Kinë’, SHBA-ja mban lidhje të forta jozyrtare me ishullin prej 23.5 milionë banorësh, duke i shitur armë Taipeit dhe duke mbështetur shtytjen e tij për sovranitet.