Pasi “iu nxi” faqja për shkak të ngjarjes tragjike të Himarës, kryeministri Edi Rama vazhdimisht ka publikuar artikuj të medieve të huaja mbi turizmin në Shqipëri.
Pasditen e sotme Rama shpërndau disa faqe të një reviste në Spanjë “Mediterranena Lifestyle”, ku reklamohet Shqipëria, veçanërisht kulinaria shqiptare.
Krahas faqeve të revistës, Rama shkruan se 18.820 turistë spanjollë e kanë vizituar Shqipërinë nga janari e deri në korrik të këtij viti, nga 4.228 që e kanë vizuar vjet në të njëjtën periudhë.
“18.820 turistë spanjollë e kanë vizituar Shqipërinë nga janari deri në korrik të këtij viti, përkundër 4.228 vizitorëve të së njëjtës periudhë vitin që shkoi. Edhe mediat e një gjigandi të turizmit si Spanja i japin zë bukurive e traditave të Shqipërisë, ku kulinaria jonë përshkruhet si një kombinim fantastik i kuzhinës mesdhetare dhe asaj ballkanike, mes shijeve e aromave të peshkut, erëzave e vajit të ullirit, në faqet e revistës spanjolle ‘The Mediterranean Lifestyle’.”– shkroi Rama.
Rama javët e fundit është përpjekur të theksojë vazhdimisht arritjet në sektorin e Turizmit, pas ngjarjes së rëndë në Himarë ku humbi jetën një vajzë 7-vjeçare. Ai madje e ka cilësuar këtë sezon si “më të sigurtin si asnjëherë”, deri ditën e dy gushtit kur ndodhi ngjarja e Himarës.
Kryeministri ka thënë se Shqipëria ka shënuar rritjen më të lartë të turizmit në të gjithë zonën e Mesdheut, duke zënë vendin e dytë pas Antalias.
Të dhënat e INSTAT thonë se në 6 muajt e para të këtij në Shqipëri kanë hyrë rreth 2.55 milionë qytetarë, shtetas shqiptarë ose të huaj, një rritje shumë e madhe krahasuar me një vit më parë.