Vendosni fjalën kyçe....

Prej vitesh merrte kërcënime me vdekje, novelisti Salman Rushdie sulmohet me thikë në mes të skenës


Novelisti indian Salman Rushdie, i cili prej vitesh ka marrë kërcënime me vdekje pasi shkroi “Vargjet Satanike“, është sulmuar në skenë në shtetin e Nju Jorkut.

Sikurse raporton BBC, ish-fituesi i çmimit Booker po fliste në një event të organizuar nga Instituti Chautauqua. Dëshmitarët thonë se panë një burrë që vraponte në skenë dhe e goditi shkrimtarin me thikë.

Një video e postuar në internet tregon të pranishmit që nxitojnë në skenë menjëherë pas incidentit.

Një reporter i “Associated Press” tha se një burrë u ngjit në skenë dhe filloi të godiste autorin me origjinë indiane teksa po prezantohej. Autori u kap dhe u rrëzua përtokë.

Ende nuk ka detaje mbi gjendjen e shkrimtarit.

Kërcënimet me vdekje

Libri i Rushdie “Vargjet Satanike” është ndaluar në Iran që nga viti 1988, pasi shumë muslimanë e konsiderojnë atë si blasfemi. Një vit më vonë, lideri i ndjerë i Iranit, Ajatollah Ruhollah Khomeini, nxori një dekret, duke bërë thirrje për vdekjen e Rushdie.

Një shpërblim prej mbi 3 milionë dollarë është ofruar gjithashtu për këdo që e vret atë.

Qeveria e Iranit është distancuar prej kohësh nga dekreti i Khomeinit, por ndjenjat anti-Rushdie vazhduan. Në vitin 2012, një fondacion fetar gjysmë zyrtar iranian e ngriti shpërblimin për Rushdie nga 2.8 milionë dollarë në 3.3 milionë dollarë.

Rushdie e hodhi poshtë atë kërcënim në atë kohë, duke thënë se nuk kishte “asnjë provë” se njerëzit ishin të interesuar për shpërblimin.

Atë vit, Rushdie botoi një kujtim, “Joseph Anton” rreth dekretit të Khomeinit.