Të vizitosh Ukrainën tani nuk ka shumë gjasa të jetë në listën e dëshirave të askujt. Por gjashtë muaj pasi Rusia pushtoi vendin, një agjenci ukrainase po fton turistët të vijnë për të parë qytetet e bombarduara.
Platforma online Visit Ukraine.Today muajin e kaluar nisi turne ditore me guidë në të ashtuquajturat “Qytetet e guximshme” që kanë sfiduar dhe vazhdojnë t’i rezistojnë pushtuesve rusë, duke u ofruar udhëtarëve një vështrim se si po jeton vendi mes konfliktit.
“Nisni një udhëtim në Ukrainën e mrekullueshme tani.”- fton uebfaqja e kompanisë.
Pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare kundër udhëtimit në Ukrainë, kompania thotë se deri më tani ka shitur 150 bileta, ndërsa uebsajti i saj që ofron informacione për udhëtime të sigurta drejt dhe nga Ukraina po merr 1.5 milionë vizita në muaj, 50% më shumë se para pushtimit.
Kompania thotë se kushdo që regjistrohet për një turne mund të bëjë shëtitje mes mbeturinave të bombave. Plus të dëgjojë sirenat e vazhdueshme të sulmit ajror.
Minat tokësore janë gjithashtu një rrezik.
Ndonëse mund të duket si një mënyrë e kotë për të kaluar pushimet, themeluesi dhe CEO i “Visit Ukraine” Anton Taranenko thotë për CNN këto turne përfaqësojnë një shans për Ukrainën që t’i tregojë botës së jashtme se jeta vazhdon, edhe në një luftë.
“Nuk ka të bëjë vetëm me bombat, ajo që po ndodh sot në Ukrainë ka të bëjë gjithashtu me mënyrën se si njerëzit po mësojnë të bashkëjetojnë me luftën, të ndihmojnë njëri-tjetrin.”- thotë ai. “Ka ndryshim të vërtetë, një frymë e re rrugësh. Ndoshta matanë rrugës nga ku goditi një bombë kohët e fundit, do të shihni miqtë duke ngrënë ushqim të këndshëm tradicional në një bistro të rihapur.”
Taranenko shton se “nuk ka vetëm gjëra të këqija dhe të trishtuara siç shihen në TV. Jeta vazhdon dhe ka shpresë që së shpejti të përfundojë e gjithë kjo. Fëmijët po rriten, ne përpiqemi ta jetojmë jetën sa më shumë që të jetë e mundur, pavarësisht se çfarë.”