Gjermania deri më tani ka dështuar të përmbushë premtimet për të siguruar furnizimet me gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga Katari, raportoi të premten gazeta ‘Deutsche Ëirtschaftsnachrichten’.
Sipas shkrimit, duke cituar një raport nga revista Focus Online, asnjë nga kompanitë kryesore gjermane të energjisë, përfshirë EnBW, RWE, Vattenfall, E.On dhe Lex Uniper, nuk kanë nënshkruar deri më tani kontrata me furnizues nga Katari.
Disa kompani kanë rënë dakord vetëm për dërgesa shtesë nga SHBA-ja. EnBW, për shembull, ka njoftuar një kontratë me furnizuesin e Amerikës së Veriut Venture Global LNG, sipas së cilës kompania planifikon të blejë 1.5 milion ton LNG në vit, por vetëm duke filluar nga viti 2026.
Ndërkohë, media gjermane vuri në dukje se kompania italiane e energjisë Eni në mesin e qershorit bleu një aksion në projektin e Katarit prej 28 miliardë dollarësh në North Field East LNG, duke u bërë aksioneri i dytë më i madh i sipërmarrjes pas TotalEnergies të Francës.
Duke kërkuar të sigurojë furnizimet me LNG të Katarit mes rënies së importeve të gazit nga Rusia, ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habek udhëtoi në Doha në mars. Pas këtij udhëtimi, ai premtoi se Gjermania së shpejti do fillojë të marrë gazin e vendit.
Megjithatë, në fillim të majit Reuters raportoi një mosmarrëveshje midis Gjermanisë dhe Katarit mbi kohëzgjatjen e kontratave të eksportit. Sipas agjencisë, Berlini nuk donte të pajtohej me kërkesën e Dohas për kontrata të paktën 20-vjeçare.
Përveç kësaj, Katari thuhet se ka kërkuar që Berlini të mos lejohet të ridrejtojë gazin e importuar nga Katari në vendet e tjera evropiane.
Më vonë atë muaj, Berlini dhe Doha nënshkruan një deklaratë për të thelluar partneritetin e tyre energjetik, me fokus në tregtinë e hidrogjenit dhe LNG-së.
Megjithatë, sipas raporteve të mediave, marrëveshja e përfunduar ishte thjesht simbolike: nuk u përshkruan as datat e dorëzimit dhe as sasitë specifike të gazit.
Gjatë turneut të tij veror nëpër Gjermani në fund të muajit të kaluar, Habek pranoi para një turme në Bayreuth se ‘Katari kishte vendosur të mos bënte një ofertë të mirë’.
Fati i marrëveshjes me Katarin është i rëndësishëm për Gjermaninë, e cila po përpiqet të ruajë mjaftueshëm gaz për sezonin e ardhshëm të ngrohjes.
Objektet e magazinimit të gazit në Gjermani janë aktualisht pak mbi 70%. Sipas një rregulloreje të re, ato duhet të jenë të paktën 75% të mbushura deri më 1 shtator, 85% të mbushura në 1 tetor dhe 95% në 1 nëntor.