Vendosni fjalën kyçe....

‘Hajduti fatlum’ shpëtohet në Romë, nxirret nga tuneli nëntokë ku kishte ngecur (Video)


Zjarrfikësit shpëtuan një burrë që mbeti i ngecur nën tokë në qendër të Romës ndërsa gërmonte një tunel, tha në një deklaratë të premten Brigada e Zjarrfikësve të kryeqytetit italian. Mediat thotë se ai ishte pjesë e një bande që kërkonte të grabiste një bankë aty pranë.

“Pas tetë orësh punë, forcat zjarrfikëse nxorrën ende gjallë, njeriun që mbeti i bllokuar për shkak të një shembjeje që ndodhi gjatë ekzekutimit të një gërmimi nëntokësor në ‘Via Innocenzo XI’. Shkaqet janë duke u hetuar.” – thuhet në njoftimin e Brigadës së Zjarrfikësve.

Operacioni i shpëtimit tërhoqi vëmendjen e vendasve dhe turistëve, pasi u zhvillua jo shumë larg Vatikanit. Videot në rrjetet sociale tregojnë momentin kur zjarrfikësit më në fund e tërhoqën njeriun nga nëntoka, nën duartrokitjet e shikuesve. Andrea Grassi, 34 vjeç, është shtruar në spitalin San Camillo në gjendje të rëndë, por jeta e tij nuk është në rrezik.

 

Raportet e medias sugjerojnë se njeriu i shpëtuar ishte pjesë e një bande që planifikonte të përfitonte nga periudha e qetë e pushimeve verore duke gërmuar një tunel nga ambientet e marra me qira në qendër të qytetit deri në kasafortën e njërës prej bankave aty pranë, me synimin për ta grabitur në mes të gushtit.

Megjithatë, plani i tyre i supozuar dështoi kur gjatë gërmimit, një copë asfalti ra dhe e bllokoi Grassin në një thellësi rreth 6-7 metra, duke i lënë atij zgjidhje tjetër veçse të bërtiste: “Ndihmë, ju lutem më shpëtoni.”

Bashkëpunëtorët e tij të dyshuar kanë arritur të dalin nga tuneli, por janë ndaluar nga policia. Dy të dyshuar nga Napoli u arrestuan për rezistencë ndaj një zyrtari publik dhe dy nga Roma, për dëmtim të pronës publike, tha një zëdhënës i policisë për AFP.

“Nuk përjashtojmë që të jenë hajdutë, është një nga teoritë.” – tha ai.

Hetimi për rastin e asaj që mediat italiane e quajnë ‘banda e tunelit’ është në vijim, me një gjykim të caktuar për në 20 dhjetor.

Të pesë burrat kanë dënime të mëparshme për grabitje, tha një përfaqësues i policisë për mediat vendase. Asnjë prej tyre deri më tani nuk e ka pranuar fajësinë në lidhje me ngjarjen.

Prindërit e Grassit dolën në mbrojtje të tij, duke kërkuar që djali i tyre të mos quhet ‘hajdut fatlum’, duke thënë për mediat: “Ai punon për 50 euro në ditë. Ata i thanë të gërmonte dhe ai e bëri atë.”