Vendosni fjalën kyçe....

Rama intervistë për median franceze: Për 10 vite do jemi në BE


Kryeministri Edi Rama, ka dhënë një intervistë për median franceze “FranceSoir” ku ka folur për turizmin, negociatat me BE-në dhe besimin fetar.

I pyetur se si e sheh Shqipërinë pas 10 vitesh, Rama tha se në BE.

“Pas 10 vitesh, ndoshta do të jetë në BE, nëse BE mbetet siç është tani. Në fakt, bota sot ndryshon shumë shpejt, mjafton të shihni situatën aktuale.

Pa tragjedi, pas 10 vitesh, Shqipëria do të jetë në BE dhe ne do të bëjmë gjithçka për t’a arritur këtë.”- tha ai.

Gjatë intervistës, Rama flet dhe për Francën dhe presidentin francez Emmanuel Macron të cilin thotë se e ka mik.

Rama thotë se francezët nuk e njohin Macronin siç e njeh ai dhe se beson që do mbeten miq edhe përtej detyrave të tyre.

“Për shumë kohë, Franca ka qenë vendi im i dytë i zemrës. Kam jetuar aty për shkak të fushës sime të veprimtarisë: artit. Kam lexuar shumë në frëngjisht për historinë e artit që lidhet me këtë vend, muzetë e tij e artistët e tij.

Sot kam shumë miq në Francë e gjithashtu një marrëdhënie të mirë me Presidentin. Ne kemi një miqësi që besoj se do të zgjasë edhe përtej pozicioneve tona aktuale, gjë që është e rrallë.

Ne flasim për shumë gjëra e shpesh them me vete sa keq që francezët nuk e njohin. Ai është një njeri intelektualisht kurioz dhe i respektueshëm ndaj të tjerëve.

Ai është President i Francës e unë jam Kryeministër i Shqipërisë. Vendet tona nuk kanë patur marrëdhënie të rëndësishme deri më tani, por ai ka interes për Ballkanin dhe zhvillimin e marrëdhënieve të Francës me rajonin. Është gjithashtu për të ardhur keq që francezët nuk e kuptojnë humanitetin e tij. Ai u rizgjodh President me shumë vështirësi që nuk i meritonte. Nga ana njerëzore, ai është një njeri i jashtëzakonshëm. Gruaja e tij është gjithashtu një person i veçantë. Ata janë një çift i respektueshëm e i përulur, shumë larg imazhit që duket se ka publiku francez për ta.”– tha Rama.