Administrata e presidentit amerikan Biden thuhet se ka zgjedhur të mos zhbllokojë 7 miliardë dollarë në asetet e Bankës Qendrore Afgane, duke vendosur të mbajë fondet e ngrira për shkak të shqetësimit se vendi që tani sundohet nga talibanët po strehon përsëri terroristë ndërkombëtarë.
Uashingtoni gjithashtu ka pezulluar bisedimet me talibanët pasi më parë ka parë përparim në bisedime, raportoi të hënën Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë amerikanë. Vendimi ka të bëjë me asetet e vendit të shkatërruar nga lufta me bazë në SHBA, të cilat administrata e Bidenit i ngriu pas pushtimit të Afganistanit nga talibanët vitin e kaluar.
Kundërshtimi për të lëshuar fondet ‘i jep një goditje shpresave për një rimëkëmbje ekonomike në Afganistan, pasi miliona përballen me urinë’ një vit pas sundimit të talibanëve, tha WSJ.
Vetëm javën e kaluar, një grup prej 70 ekonomistësh dhe akademikësh të shquar nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe pesë vende të tjera publikuan një letër të hapur duke i bërë thirrje Uashingtonit të lirojë asetet, duke përmendur ‘katastrofat ekonomike dhe humanitare që po shpalosen në Afganistan’ dhe rolin që luajti Amerika në ‘përcjelljen’ e atyre krizave.
“Ne nuk e shohim rikapitalizimin e Bankës Qendrore Afgane si një mundësi afatshkurtër.” – tha për WSJ, Thomas West, përfaqësuesi special i Departamentit të Shtetit për Afganistanin.
“Ne nuk kemi besim se ai institucion ka masat mbrojtëse dhe mundësinë për të administruar pasuritë me përgjegjësi.”
Prania e liderit të Al Kaedës, Ayman al-Zawahiri, të cilin forcat amerikane e vranë në fund të muajit të kaluar në një sulm me dron në Kabul, ndihmoi në vulosjen e fatit të aseteve afgane. Fakti që ai ishte me sa duket ri qetë duke udhëtuar në kryeqytetin e Afganistanit rriti frikën e Uashingtonit se kthimi i talibanëve në pushtet ka lejuar Al Kaedën dhe grupet e tjera terroriste të rigrupohen në vend, duke krijuar terrenin për më shumë sulme jashtë shtetit.
“Eshtë e panevojshme të thuhet, strehimi i liderit të Al Kaedës, Ayman al-Zawahiri nga talibanët, përforcon shqetësimet e thella që kemi lidhur me shmangien e fondeve për grupet terroriste.” – tha West.
Shumica e aseteve të Bankës Qendrore Afgane prej afro 10 miliardë dollarësh u ngrinë jashtë shtetit pasi talibanët morën kontrollin e vendit një vit më parë.
SHBA kontrollon pjesën më të madhe të këtyre fondeve, rreth 7 miliardë dollarë, dhe kishte biseduar me talibanët për lirimin e rreth 3.5 miliardë dollarëve për ndihmën humanitare në Afganistan.
Biden nënshkroi një urdhër në shkurt për të caktuar 3.5 miliardë dollarët e mbetur si fond për viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.