Vendosni fjalën kyçe....

Akuza e fortë e Metës: Rama nxit grupet kriminale të kryejnë akte, të dalë në plan të parë kronika e zezë për të shfokusuar vëmendjen


Në konferencën e sotme për mediet, ish-presidenti dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka bërë akuza të forta ndaj qeverisë, duke thënë se ajo nxit grupet kriminale për të ndërmarrë akte të ndryshme për të shfokusuar vëmendjen e opinionit publik nga vjedhjet dhe korrupsioni.

Ai po fliste për çështjen e detit dhe letrën e tij drejtuar Parlamentit. Ai u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë larg retorikës kundër Greqisë, apo edhe Serbisë, duke thënë se nuk ka e kanë fajin ato nëse shkelen interesat tona kombëtare por kryeministri Edi Rama.

Këtu më pas tha se është pikërisht kjo retorikë që i intereson Ramës, i cili sipas tij ka qëllim të shpikë konflikte dhe rrëmuja për të larguar vëmendjen nga vjedhjet që bën.

 “Letra iu drejtua Parlamentit pasi është institucioni kryesor në Shqipëri. Ka detyrim të kontrollojë qeverinë. Është përgjegjësi e Parlamentit që të përqëndrohet në zgjidhjen e kësaj çështje. Të gjitha zhvillimet e mëpasshme, mund ta bëjnë kontributin e Begajt në të ardhmen. Pasi kryeministri ka marrë disa vendime të faktit të kryer, në mënyrë tinëzare për të ecur me faktin e kryer.

Është detyrë e Parlamentit në rradhë të parë dhe më pas e çdo institucioni. Kur diskutojmë për këtë çështje, të mos nxisim retorika kundër Greqisë.

Një nga qëllimet e Ramës është për të spostuar vëmendjen nga vjedhjet që ndodhin këtu. Shpik një konflikt me Greqinë. Jam për të evituar edhe retorikën kundër Serbisë.

Nuk na e ka fajin Vuçiçi që ky bëhet ogiç i Vuçiçit. Sepse Vuçiçit i ikën nga Serbia 1 i ri për 1000 banorë. Ndërsa ne na ikin 10 në 1000 banorë. Ai e bën 1 kilometër rrugë të re 6 herë më lirë se ky këtu.

Kështu që ne nuk duhet të biem në lojrat e këtij. Qëllimi i këtij ky është, të shpiki konflikte, rrëmuja. Madje ka dhe të dhëna, që në bashkëpunim me grupe kriminale, kur ka ngjarje ku është e fokusuar qeveria e këtij dhe ky vetë për korrupsion, nxisin grupet kriminale për të bërë akte që të dalë në plan të parë kronika e zezë për të shfokusuar vëmendjen, mos u habisni dhe për këto gjëra.” – tha Meta.

Më herët gjatë kësaj konference, Meta tha se ka shumë fakte dhe prova që kryeministri Rama ka bërë pazare me çështjen e detit dhe u shpreh i gatshëm për të shkuar në Parlament, pasi ai u kishte dërguar deputetëve një pjesë të dokumenteve për këtë, vetëm dy ditë pas largimit nga Presidenca.

“Për këtë çështje kam kaq shumë fakte, prova të dëmeve të jashtëzakonshme që Rama i ka shkaktuar interesave të Shqipërisë, kombëtare, politike, por kjo nuk është një çështje që mund të më shfokusojë nga çështjet e tjera.

Nuk devijon duke shpikur asgjë tjetër, kjo aferë do e marri në fund të detit. Pa asnjë diskutim.

I kam çuar një letër Kuvendit dy ditë përpara se të lë Presidencën. U kam çuar vetëm një pjesë të dokumentimit të shqetësimeve serioze për këtë çështje, që vjen si rezultat i lojrave të këtij personi të papërgjegjshëmk, aventurier i marrë peng. Një dëmtues i jashtëzakonshëm i interesave kombëtare. Dhe i kam bërë të qartë parlamentit që në çdo moment, si ish-President, të shkojë atje sa herë që të kenë ndonjë paqartësi dhe të kontribuojmë për interesin e Shqipërisë. Sepse dëmtimi i pozitës së vendit në mënyrë të qëllimshme, është i rëndë dhe i mirëdokumentuar. Nuk dua të flas më shumë për këtë çështje.”– tha Meta.