Gjiganti shtetëror rus i energjisë Gazprom paralajmëroi të martën se çmimet e gazit në Evropë mund të rriten me 60% këtë dimër.
“Çmimet evropiane të gazit kanë arritur në 2500 dollarë. Sipas vlerësimeve konservatore, nëse një tendencë e tillë vazhdon, çmimet do të kalojnë 4,000 dollarë për mijë metër kub këtë dimër.” – postoi kompania në kanalin e saj zyrtar Telegram.
Eksportet e Gazprom në Evropë janë në nivele të pakësuara këtë vit për shkak të sanksioneve të lidhura me Ukrainën dhe çështjeve teknike.
Kompania tha se eksportet e saj të gazit në vendet jo-ish-sovjetike ranë me 36.2% në 78.5 miliardë metra kub midis 1 janarit dhe 15 gushtit, ndërsa prodhimi ra me 13.2% në 274.8 miliardë metra kub nga viti në vit.
Megjithatë, kompania ruse pohon se furnizon gaz ‘në përputhje me kërkesat e konfirmuara’.
Ndërsa Rusia mbetet burimi më i madh i BE-së i gazit natyror, çmimet evropiane të gazit janë katërfishuar që nga fillimi i vitit për shkak të rrallimit të furnizimit. Ndërkohë, dërgesat e Gazprom në Azi janë rritur.
Rrjedhat përmes tubacionit Poëer of Siberia tejkalojnë rregullisht sasitë e kontraktuara ditore, sipas kompanisë. Për shembull, në periudhën janar-korrik Gazprom furnizoi 60.9% më shumë gaz në Kinë nëpërmjet këtij tubacioni krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.