Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj nxjerr foton e takimit me Zelenskyn: Do japim ekspertizën e Tiranës në rindërtimin e Ukrainës


Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka qenë në Ukrainë së bashku e homologët e 8 qyteteve të tjera europiane por ka zgjedhur që në rrjetet sociale të publikojë foto vetëm për vetëm me Presidentin Volodomir Zelensky.

Jam shumë krenar për Dario Nardellan – Presidentin tonë të Eurocities – që mori drejtimin e 8 qyteteve të para që nismuan procesin e përpjekjeve për rindërtimin e Ukrainës, çka shpresoj se do të ndiqet edhe nga qytete të tjera. Shqipëria, me rimëkembjen pas tërmetit, mund të japë shumë mësime që ia vlejnë të dëgjohen”, shprehet Veliaj.

Veliaj shkruan se Tirana do japë ekspertizën e saj në rimëkëmbjen e Ukrainës nga shkatërrimet e pësuara nga lufta.

Veliaj nuk le pa përmendur Edi Ramën në postimin e tij, që siç shkruan kryebashkiaku, Zelensky i ka shprehur atij mirënjohjen për mbështetjen që kreu i qeverisë ka dhënë për Ukrainën në Këshillin e Sigurimit.

“Shumë i lumtur që u takova me Presidentin Zelensky në Kiev, i cili shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e Shqipërisë dhe Kryeministrit Rama në Këshillin e Sigurimit, strehimin e refugjatëve dhe çdo ndihmë tjetër. Tirana dhe Kharkivi janë qytete motra ne jemi zotuar të rindërtojmë shkolla aty dhe të japim ekspertizën tonë në rimëkëmbjen e Ukrainës”, thekson Veliaj.

Ndërsa Veliaj ofron ekspertizë për rindërtimin, në Tiranë ka kaluar 3 vite nga tërmeti dhe ende nuk ka përfunduar procesi i rindërtimit.

Bonusi i qirave vijon të hajë para nga buxheti për shkak të vonesave me rindërtimet e parashikuara. Në dy zona ku ka nisur procesi ka pasur protesta për shkak të shpronësimeve të banesave të cilat nuk kanë qenë të dëmtuara por preken nga projekti për të ndërtuar lagjet e reja.