Vendosni fjalën kyçe....

DASH pas rrëzimit të qeverisë së Abazoviçit: SHBA do të mbështesë çdo qeverisje demokratike, pro-perëndimore në Mal të Zi


Pas rrëzimit të qeverisë së Malit të Zi, vjen një koment nga Departamenti amerikan i Shtetit. Sikurse raporton “Zëri i Amerikës”, një zëdhënës i DASH foli në një prononcim për këtë medie duke thënë se vota për rrëzimin e qeverisë përbënte demokraci parlamentare në veprim.

“Shtetet e Bashkuara presin që Mali i Zi të ndjekë procedurat ligjore ose për formimin e shpejtë të një qeverie të re në shërbim të vendit, ose për thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.”– tha zëdhënësi.

Reagimi vazhdon duke thënë se “Shtetet e Bashkuara do të mbështesin çdo qeveri të formuar në mënyrë demokratike, e cila siguron përparimin e Malit të Zi në rrugën euro-atlantike, që përfshin përshpejtimin e anëtarësimit në BE, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, rritjen e rolit në NATO, një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe me orientim qytetar, dhe që vazhdon të mbajë përgjegjëse Rusinë për luftën e saj brutale kundër Ukrainës.”

Zëdhënësi i DASH-ut u pyet edhe nëse do mbështetej përfshirja e partisë pro-ruse Fronti Demokratik, në një qeveri të re, një gjë që ai e mohoi.

Qeveria e Malit të Zi u rrëzua vetëm tre muaj e gjysmë pas marrjes së detyrës. Dhe rol kryesor luajti qëndrimi i kryeministrit Dritan Abazoviç ndaj kishës ortodokse serbe.