Vendosni fjalën kyçe....

Përsëritet aksidenti në Turqi, kamioni merr para turmën në tregun e Mardinit, 16 të vdekur dhe 29 të plagosur (PAMJET E FRIKSHME)


Pas aksidentit ku humbën jetën rreth 15 persona në Gaziantep, një tjetër lajm i hidhur vjen nga Mardini në Turqi.

Kjo pasi një aksident i ngjashëm është përsëritur. Sipas gazetës turke Hurriyet, incidenti ka ndodhur në lagjen Derik pranë një karburanti, pasi një kamion është futur mes për mes turmës së njerëzve dhe mjekëve të emergjencave që po trajtonin të lënduarit.

Nga aksidenti humbën jetën 16 persona dhe kanë mbetur të plagosur 29 të tjerë, 8 prej të cilëve në gjendje të rëndë. Ministri i Brendshëm Süleyman Soylu ka shkuar në rajon me udhëzim të presidentit Erdogan.

Ministri i Shëndetësisë Fahrettin Koca nga ana tjetër ka reaguar në rrjetet sociale: “Jemi të shokuar nga lajmi i një aksidenti të dytë trafiku. 16 persona humbën jetën në aksidentin, i cili ndodhi si pasojë e shkëputjes së frenave të kamionit që u fut në mes të turmës në lokacionin trekahësh të rrethit Derik të Mardinit. 29 persona mbetën të lënduar, 8 prej tyre të plagosur rëndë.”

Po ashtu ka reaguar edhe Ministri i Drejtësisë Bekir Bozdag i cili tha: “Uroj mëshirën e Zotit për qytetarët tanë që humbën jetën në aksidentin e ndodhur në rrethin e Mardinit, ngushëllimet e mia për familjet e tyre dhe durim. Shërim të shpejtë për qytetarët tanë të lënduar”. Bozdag deklaroi se në lidhje me aksidentin ka nisur një hetim gjyqësor nga Zyra e Kryeprokurorit Publik të Derik.