Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të shtune në Uzinën ushtarake të qytetit të Gramshit.
Sipas televizionit “News 24”, dy shtetas rusë kanë sulmuar ushtarakët roje të këtij objekti. “Report TV” thonë se edhe një ukrainas është përfshirë në këtë ngjarje, ndërsa medie të tjera raportojnë për tre rusë. Një informacion që pritet të konfirmohet nga autoritetet.
Të dyshuarit i kanë hedhur mjete djegëse dhe lëndë kimike ushtarakëve të cilët kanë qenë në ruajtje të kësaj qendre strategjike. Ata kanë mbetur të lënduar.
Ushtarakët e dëmtuar janë dërguar në Tiranë për një mjekim më të specializuar.
“News 24” thotë se shtetasit rusë pasditen e sotme janë parë me aparate fotografike dhe kanë hyrë nga muret e uzinës pa urdhër duke bërë foto. Ushtarakët i kishin parë këta dy persona dhe u kanë shkuar për t’u bërë ndalesën dhe shoqërimin e tyre. Por ata janë kundërpërgjigjur duke i sulmuar duke me lëndë kimike.
Sipas banorëve të zonës shtetasit rusë kishin të paktën dy ditë që e monitoronin Uzinën Ushtarake, me harta dhe pajisje të tjera teknologjike.