Një projekt i madh i ri në Bibliotekën e Universitetit të Kembrixhit në Mbretërinë e Bashkuar do të bashkojë libra unikë dhe të pazëvendësueshëm të shkruar me dorë nga qindra vjet më parë, duke zbuluar mijëra receta mjekësore, dorëshkrime dhe tekste nga mjekë mesjetarë.
“Këto dorëshkrime ofrojnë njohuri të shkëlqyera në kulturën mjekësore mesjetare dhe recetat që përmbajnë na afrojnë me ndërveprimet midis pacientit dhe mjekut që ndodhën shumë shekuj më parë.” – tha në një deklaratë James Freeman, Specialist i Dorëshkrimeve Mesjetare në Bibliotekën e Universitetit të Kembrixhit.
“Këto receta janë një kujtesë e dhimbjes dhe pasigurisë së jetës mesjetare: përpara antibiotikëve, para antiseptikëve dhe para analgjezikëve.” – shtoi ai.
Një terapi për përdhesin, një lloj i dhimbshëm i artritit inflamator, trajtimi modern i të cilit përbëhet nga ibuprofen dhe ndryshime dietike – përfshin bluarjen e një bufi të pjekur dhe të kripur dhe përzierjen e tij me yndyrën e derrit për të bërë një salcë që më pas e fërkoni në zonën e prekur.
“Pas çdo recete, sado e largët, fshihet një histori njerëzore: përvoja sëmundjesh dhe dhimbjesh, por edhe dëshira për të jetuar dhe për të qenë të shëndetshëm.” – tha Freeman.
Projekti do të marrë këto mjekime të lashta dhe do t’i sjellë ato në botën moderne me anë të projektit dixhital.
Jo vetëm që mbi 180 dorëshkrime do të dixhitalizohen dhe do të vihen në dispozicion lirisht në internet në Bibliotekën Dixhitale të Kembrixhit, por ato do të kenë gjithashtu përkthime dhe kontekst të shtuar për lexuesin e thjeshtë dhe do të mundësojnë kërkimin e fjalëve kyçe për studiuesit e praktikave mesjetare.