Kreu i Partisë së Lirisë Meta ka akuzuar kryeministrin Rama si armik të demokracisë, votës së lirë, interesit kombëtar e atij publik.
Në fjalën e tij në çeljen e kampingut të përvitshëm të të rinjve të partisë në Jalë, ai vlerësoi LSI-në e LRI-në për kontributin e dhënë në të shkuarën.
Meta tha gjithashtu se rinia është pengesë e pakapërcyeshme për regjimet autoritare që mbijetojnë përmes frikës, korrupsionit e presionit.
“Ka disa parime, se kudo ka parime, asgjë nuk vjen rastësisht. Duke ju ftuar të gjithëve që të jeni krenar për LSI dhe LRI, për punën që është bërë në të kaluarën dhe kontributet që janë dhënë për të zhbllokuar kriza të ndryshme në vend, për rotacione demokratike dhe për përfshirje të jashtëzakonshme që i dhanë rinisë me përfaqësimin në Kuvend dhe pushtetin lokal e kudo. Ne e dimë se çfarë ndodhi. Ishte kurth dhe komplot kundër popullit të Shqipërisë me qëllim asgjësimin e demokracisë dhe targeti ishte ish-LSI. Prishte pazaret e pazarxhinjve. Natyrisht nuk mund të ndodhë ndryshe nga një armik i demokracisë dhe i votës së lirë, nga një armik i interesit kombëtar dhe publik. Nga një armik i llogaridhënies, i të vërtetave sepse rinia është një pengesë e pakalueshme për cdo regjim. Rinia është një pengesë e pakalueshme për regjimet autoritare që synon mbijetojnë përmes frikës, korrupsionin, presionit, sepse ëndrrat e të rinjve janë sfidë që ata nuk përballen dot, ndaj kanë shpresuar se me largimin e të rinjve do realizojnë projektet e tyre grabitqare.” – tha Meta.