Të shtëna me armë zjarri janë shënuar orët e para të mëngjesit të sotëm në autostradën Laç – Lezhë, ku ka mbetur i plagosur 60-vjeçari Besim Zeneli.
Ngjarja ndodhi teksa ai po mbyllte dyqanin e tij të fruta-perimeve pas mesnate. Zeneli është transportuar menjëherë në spitalin e Traumës dhe është jashtë rrezikut.
Sipas policisë deri tani dy janë dyshimet kryesore një grabitje e mundshme apo ajo e një hakmarrjeje.
Policia thotë se ka vënë në pranga autorin e dyshuar, po ashtu edhe dy persona të tjerë janë shoqëruar në lidhje me ngjarjen.
Njoftimi i Policisë
Rreth orës 00:25, gjatë kohës që shtetasi B. Z. 60 vjeç, banues në fshatin Shullaz, Kurbin, ka qenë në biznesin e tij (dyqan fruta-perimesh) që ndodhet në anë të rrugës, në autostradën Laç – Lezhë, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij.
Për pasojë, shtetasi B. Z. ka marrë plagë në trup dhe ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, nën kujdesin mjekësor.
Grupi hetimor vijon veprimet në vendin e ngjarjes, duke administruar çdo provë dhe vlerësuar çdo informacion, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar 3 persona, mes tyre dhe autorin e dyshuar të ngjarjes dhe po kryejnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe arrestimin e autorëve të dyshuar.
Për momentin nuk bëjmë me dije identitetin e personave të shoqëruar, për shkak të vijimit të hetimeve dhe ruajtjes së sekretit hetimor.