Mediat ruse zbuluan një ditë më parë identitetin e të dyshuarës për vrasjen e gazetares Daria Dugina, vajza 29-vjeçare e Alexander Dugin.
Mediat e lidhura me qeverinë ruse publikuan të hënën identitetin e autores dhe thanë se ajo quhej Natalia Vovk. Po ashtu publikuan foton dhe një kartë identiteti të vrasëses së dyshuar, e cila rezulton të jetë një shtetase ukrainase.
Zinxhiri i ngjarjeve, siç paraqitet nga shërbimi i sigurisë ruse, përngjan me një thriller të Hollivudit me spiunë, 43-vjeçarja Vovk thuhet se ka ndryshuar pamjen e saj dhe targat e automjetit për të kryer “detyrën” e saj.
Shërbimet ruse të sigurisë akuzuan “shërbimet speciale” ukrainase për vrasjen e vajzës së filozofit pranë Kremlinit, Alexander Dugin, i cili njihet ndryshe edhe me nofkën “Truri i Putinit”.
Shërbimet ruse të sigurisë konfirmuan se vrasja e gazetares ishte “planifikuar dhe kryer nga shërbimet speciale ukrainase”, autorja e operacionit ishte ukrainase, e cila u largua nga vendi nëpërmjet Estonisë.
Në Rusi me vajzën e vogël
Agjencia e lajmeve TASS citoi Shërbimin Federal të Sigurisë Ruse të thoshte se autorja e sulmit kishte mbërritur në Rusi më 23 korrik 2022, me vajzën e saj të vogël.
Ato kishin marrë pjesë në eventin ku Dugina mori pjesë si e ftuar nderi pranë Moskës, të shtunën e kaluar, para se të vritej nga një shpërthim makine.
Pasi makina u shpërthye nga distanca, Vovk dhe vajza e saj udhëtuan përmes rajonit të Pskov për në Estoni, një udhëtim 12 orësh.
FSB shtoi se gruaja kishte marrë me qira një apartament në Moskë në të njëjtën ndërtesë ku jeton Dugina dhe vazhdoi: “Kriminelët përdorën një Mini Cooper për të monitoruar Daria Duginën”.
Dokumentet e falsifikuara
FSB shtoi se gruaja përdori një sërë dokumentesh identiteti, pasi kishte hyrë me një dokument të lëshuar nga “Republika Popullore e Donetskut“. Gruaja ka marrë dokumente të falsifikuara.
Mediat ruse thanë se Alexander Dugin kishte marrë kërcënime me vdekje përpara shpërthimit, i cili ndodhi të shtunën në mbrëmje, dhe vrau vajzën e tij.
Autoritetet deklaruan se kërcënimet ndaj Duginit dhe vajzës së tij vinin gjithashtu nga “nacionalistët ukrainas“, që është përshkrimi i sistemit politik ukrainas nga Moska.
Figura të njohura ruse kërkuan hakmarrje për shpërthimin që vrau vajzën e filozofit, e mes tyre është edhe gazetarja e famshme ruse, Margarita Simonyan, e cila bëri thirrje për shënjestrimin e qendrave vendimmarrëse në Kiev.