Vendosni fjalën kyçe....

Partia e Lirisë depoziton 50 dokumente në SPAK: Faktet tronditëse, si drejtori i inceneratorit fitoi 310 mijë euro nga grantet e BE-së


Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun e Partisë së Lirisë, Silva Caka, ka dalë sot në një konferencë për mediat ku ka deklaruar se kjo forcë politike ka depozituar në SPAK 50 dokumente lidhur me inceneratorët.

Caka tha se SPAK është vënë në dijeni sot se si kompania koncensionare e inceneratorit të Tiranës i ka dhënë një hua prej 500.000 euro një punonjësi të saj (drejtorit Elton Buallit) e më pas i ka shitur dhe një tokë.

“Sot Partia e Lirisë depozitoi pranë Strukturës së Posaccme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Oganizuar, 50 dokumenta të cilat i ka bërë publike në deklaratat e strukturës Antikorrupsion.

Ajo çka kemi vënë në dijeni SPAK sot është fakti sesi kompania koncensionare e inceneratorit të Tiranës, Integrated Energy BV SPV shpk i ka dhënë një hua prej 500.000 euro një punonjësi e më pas i ka shitur dhe një tokë në vlerë 19.550.000 lekë.”- tha Caka.

Ky person i cili konsultohej nga kompania e Stela Gugalljes, “Consulting Se Partners” aplikon dhe shpallet fitues i një Granti pranë AZHBR me fonde të Bashkimit Evropian në vlerën 310.000 euro.

Pak javë më parë Gogo.al publikoi se ishte pikërisht drejtori i inceneratorit të Tiranës Elton Bualli që kishte marrë 310 mijë euro si fermer nga taksapaguesit europianë dhe shqiptarë.

DEKLARATA E SILVA CAKËS

Sot Partia e Lirisë depozitoi pranë Strukturës së Posaccme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Oganizuar, 50 dokumenta të cilat i ka bërë publike në deklaratat e strukturës Antikorrupsion.

Ajo çka kemi vënë në dijeni SPAK sot është fakti sesi kompania koncensionare e inceneratorit të Tiranës, Integrated Energy BV SPV shpk i ka dhënë një hua prej 500.000 euro një punonjësi e më pas i ka shitur dhe një tokë në vlerë 19.550.000 lekë.

Më pas po ky punonjës i cili konsultohej nga kompania e Stela Gugalles, Consulting Se Partners aplikon dhe shpallet fitues i një Granti pranë AZHBR me fonde të Bashkimit Evropian në vlerën 310.000 euro.

Sigurisht nuk mbaron këtu sepse po i njëjti punonjës na del dhe pronar kompanie në Mal të Zi e më pas dhe administrator me prokurë të posaçme i Integrated Energy BV dhe i një kompanie tjetër fiktive të krijuar nga kjo organizatë kriminale.

Sigurisht që ne e vumë në dijeni SPAK dhe për dokumentat e firmosur nga Arben Kaçorri (kryetari i njësisë së zbatimit të projektit) i cili kujtohej pas një viti të kërkonte informacion për koncensionin e Fierit dhe pse Ministria e Financave dhe Ekonomisë gjatë inspektimit kishte konstatuar shkelje të rënda.

Një tjetër fakt i rëndë për të cilin e kemi vënë në dijeni SPAK janë dhe disa kontrata kredie me një ekspozim total në vlerën 16.000.000 milion euro që shoqëria Integrated Energy BV SPV ka marrë pranë bankave të nivelit të dytë duke lënë si kolateral jo vetëm të ardhurat nga kontrata koncensionare e inceneratorit të Tiranës por dhe 18.000 m2 toke në pronësi të shqiptarëve.

Por nuk mjaftohen me kaq, fakti tjetër që SPAK administroi ishte kontrata e kredisë të marrë me garanci sovrane dhe pse kjo kompani nuk e ka ndaluar në asnjë moment aktivitetin e saj dhe gjatë pandemisë së Covid -19.

Të gjitha këto kredi sot që flasim janë në vonesë dhe bankës i lind e drejta të sekuestrojë të gjitha këto pasuri dhe kontratën koncensionare duke sjellë për pasojë zhdukjen e 120 milion eurove të paguara deri tani nga paratë e Shqiptarëve.

E gjitha kjo ndodhte me bekimin e Erion Veliajt dhe Belinda Ballukut dhe pse kishin filluar hetimet penale për këtë organizatë kriminale. Një tjetër dokument shumë i rëndësishëm është dhe transferta bankare e kryer në 12.11.2021, ku kompania Integrated Energy BV SPV dërgon para në Hollandë të kompania meme.

Të gjitha këto janë në shkelje të kontratës koncensionare pasi kjo kompani ka marrë shuma të konsiderueshme parash (pagesa nga shteti, pagesa nga privati, kredi bankare) dhe nuk ka kryer aspak investimin sepse dhe sot që flasim nuk ka një incenerator në SHARRE por vetëm LANFILLD. Një tjetër moment ku jemi ndalur janë dhe kreditë e marra nga kompania Integrated Technology Ëaste Treatment Fier për të cilën si palë e lidhur në sigurimin e kredive është dhe kompania Albtek Energy (inceneratori i Elbasanit). Kemi vënë në dijeni SPAK dhe për dy kredi të marra me fondin e garancisë sovrane në vlerën e 307.200.000 lekë.

Një tjetër fakt skandaloz për të cilin sot e kësaj dite nuk kemi asnjë reagim nga ministria përgjegjëse është se inceneratori i Fierit duhet të ishte dorëzuar që në datë 31.03.2021 pas 2 shtyerjeve të miratuara në kundërshtim me atë çka parashikon kontrata fillestare. U kemi vënë në dispozicion të gjithë komunikimin shkresor sesi kompania koncensionare e deklaronte të ndërtuar Inceneratorin që në datë 30.03.2021 e ndërkohë ministria nuk përgjigjej me muaj por vendosën të gjithë të bëhen aktiv në shkresa pak ditë përpara se të bëheshin arrestimet dhe ajo vepër të vihej në sekuestro.

Shteti ka vendosur të mos zbatojë kontratën e të mos vendosi penalitetet që shkojnë deri në 2250 euro në ditë. Sot që flasim ajo vepër nuk është dorëzuar e ndërkohë kompania koncensionare vijon të marrë shuma të konsiderueshme nga buxheti i shtetit.

E në fund SPAK u vu në dijeni për një fakt SKANDALOZ i cili e bën dhe më të rëndë situatën në inceneratorin e Fierit, fakt për të cilin administratori shtetëror Z. Farudin Arapi është vënë në dijeni që në shkurt të vitit 2022.

Më konkretisht janë 2 shkresa në datat 08 dhe 18 shkurt që kompania RUTHS (nënkontraktore e pjesës më të rëndësishme të inceneratorit) ka vënë në dijeni administratorin se kompania koncensionare i ka një borxh në vlerën 2.500.000 euro dhe se ajo vepër është në pronësi të kësaj kompanie dhe se askush nuk mund ta testojë dhe certifikojë atë vepër sepse e ndalojnë si ligjet e Bashkimit Evropian ashtu dhe ato shqiptare.

Administratori është vënë në dijeni dhe të padive penale të ngritura nga kjo kompani për një tjetër kompani fiktive të krijuar në dijeni të plotë të Klodian Zotos e cila është përdorur për të kryer punime në Fier.

Sot kemi depozituar faktet pranë SPAK e kështu do të vazhdojmë për çdo dokumentacion që do të administrojmë për këtë ORGANIZATE KRIMINALE që në bashkëpunim kanë firmosur vjedhjen për qindra miliona euro para të shqiptarëve.