Vendosni fjalën kyçe....

Inflacioni ‘ha’ kursimet e gjermanëve – Studimi


Inflacioni ka varfëruar kryesisht kursimet që gjermanët arritën të grumbullonin gjatë dy viteve të fundit, tregon një raport nga Instituti Ekonomik IFO me bazë në Mynih, i publikuar të martën.

Sipas raportit, ‘familjet private gjermane lanë mënjanë shumë para gjatë dy viteve Covid-19’, pasi të ardhurat e disponueshme u stabilizuan nga mbështetja e gjerë e qeverisë, ndërsa mundësitë për konsum u kufizuan rëndë.

Vlerësimet tregojnë se norma e kursimeve ishte mesatarisht 15.5% në 2020 dhe 2021, dukshëm më e lartë se në pesë vitet e mëparshme (10.6%). Si rezultat, të ashtuquajturat kursime të tepërta arritën pak më pak se 200 miliardë euro.

Megjithatë, këto kursime tani janë zhdukur.

“Inflacioni ha kursimet e tepërta. Të dhënat nga statistikat e bilancit të institucioneve financiare tregojnë se këto depozita të tepërta ishin eliminuar pothuajse plotësisht deri në fund të tremujorit të parë të 2022”, thotë IFO në raport. Madje, thuhet se në tremujorin e dytë të vitit, ky ‘kursim’ ka vazhduar, duke e çuar volumin e totalit të depozitave bankare nën nivelin mesatar të pesë viteve të fundit.

“’Jastëkët’ e kursimeve nga periudha e koronavirusit tani janë përdorur në shumë familje. Në të njëjtën kohë, çmimet e konsumit ka të ngjarë të vazhdojnë të rriten ndjeshëm. Prandaj, ka shumë për të sugjeruar që konsumi privat nuk do të jetë më forca shtytëse e ekonomisë gjermane për pjesën tjetër të vitit.” – përfundojnë studiuesit e IFO.