Vritet nga shpërthimi me bombë i një makine, kryetari i bashkisë së qytetit ukrainas Mykhaylivka të pushtuar nga Rusia, Ivan Sushko.
Siç bën me dije Rferl, ngjarja ndodhi vetëm pak ditë pasi në të njëjtën mënyrë u vra edhe Darya Dugina, e bija e filozofit rus Alexander Dugin në periferi të Moskës.
Një përfaqësues i autoriteteve të vendosura nga Rusia në këtë pjesë të rajonit Zaporizhzhya të Ukrainës, Volodymyr Rogov, shkroi në Telegram se Sushko vdiq më 24 gusht në spital pasi një bombë “e vendosur qëllimisht nën sediljen e automjetit të tij” shpërtheu.
Që kur Rusia filloi të instalojë zyrtarë në zonat që ajo ka marrë nën kontroll, disa prej tyre janë sulmuar.
Më 6 gusht, Vitaliy Hura, një nënkryetar i emëruar nga Rusia i qytetit ukrainas Nova Kakhovka në rajonin Kherson, u qëllua për vdekje nga një sulmues i paidentifikuar teksa po dilte nga shtëpia e tij.
Një ditë më parë, agjencitë ruse të lajmeve raportuan se guvernatori i emëruar nga Rusia i Rajonit Kherson, Volodymyr Saldo, ishte shtruar në spital. Disa raporte në atë kohë thanë se ai mund të ishte helmuar.
Më 24 qershor, një makinë bombë vrau kreun e emëruar nga Rusia të drejtorisë për politikat rinore në administratën e rajonit Kherson, Dmytro Savluchenko.