Vendosni fjalën kyçe....

Tedi Blushi ironizon ambasadoren Kim: Edhe ne i dënojmë kërcënimet e hapura të Ramës ndaj SPAK-ut


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka reaguar me ironi lidhur me komentet e sotme të ambasadores së SHBA-ve Yuri Kim, që dënoi sulmet që sipas saj bëhen ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe nuk duhet të konsiderohen “normale” në Shqipëri. Një koment me të cilin ajo shigjetonte qartazi kreun e Partisë së Lirisë Ilir Meta.

Blushi shkruan se edhe PL dënon kërcënimet e hapura që Edi Rama bën ndaj SPAK-ut, duke publikuar edhe disa raportime të bërë para ca kohësh për këtë në disa media, kur kryeministri kërkonte nga Prokuroria e Posaçme të merrte nën hetim ish-kryeministrin Sali Berisha dhe presidentin ende në detyrë asokohe Ilir Meta.

“Mbështetim të gjitha thirrjet që dënojnë sulmet dhe presionet banale politike të Edi Ramës ndaj SPAK dhe Drejtësisë.

Partia e Lirisë është e vendosur për të ndihmuar dhe inkurajuar çdo ditë SPAK, siç po vepron, duke e furnizuar me prova të pakundërshtueshme dhe dokumenta origjinalë që provojnë botërisht vjedhjet e tmerrshme të Edi Ramës dhe bandës së tij, kryesisht nëpërmjet aferës së inceneratorëve.

Partia e Lirisë pret me durim që SPAK të veprojë pa vonesë ndaj kallëzimeve penale dhe që abuzuesit me taksat e shqiptarëve të marrin menjëherë ndëshkimin e merituar dhe të shumëpritur nga populli shqiptar.

I bëjmë thirrje Edi Ramës të heqë dorë nga cilësimet e SPAK, si krijesë të PS, siç bëri në Kongresin e Partisë së 9 majit kur tha ndër të tjera se: ‘SPAK-u nuk do ekzistonte po të mos ekzistonte kjo parti’, sepse të tilla kërcënime dhe shantazhe nga partia-shtet kompromentojnë rëndë funksionimin e drejtësisë së pavarur dhe të bazuar vetëm në ligj.”- shkruan Blushi.

 

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim në një postim në “Twitter”, tha se se kërcënimet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorët nuk duhet të pranohen më si normale. Sipas saj një sjellje e tillë nuk i takon një vendi anëtar të NATO-s, ndërsa shtoi se reforma në drejtësi qartazi po jep rezultateve, duke iu referuar një hetimi SPAK ka nisur sot ndaj ish-presidentit dhe kryetarit të PL-së Ilir Meta.