Vendosni fjalën kyçe....

Nëna e tifozit autik kritika Cristiano Ronaldos: Personi më arrogant që kam njohur (Video)


Nëna e një tifozi autik të futbollit, të cilit iu thye telefoni nga sulmuesi i Manchester United, Cristiano Ronaldo, ka thënë se superylli portugez e la atë në lot pas një telefonate.

Ronaldo në mënyrë famëkeqe theu pajisjen e Jacob Harding duke e hedhur atë nga dora e adoleshentit kur u largua nga fusha e Evertonit në ‘Goodison Park’ pasi ekipi i tij kishte humbur 1-0 atje në prill.

Ngjarja dyshohet se la 14-vjeçarin Jacob me një dorë të mavijosur. Megjithatë, kur foli për gazetën britanike ‘The Mirror’, nëna e tij Sarah Kelly pohoi se Ronaldo nuk ka ofruar të zëvendësojë telefonin e prishur dhe as nuk ka kërkuar falje për sjelljen e tij.

Ronaldo pranoi një paralajmërim të policisë dhe thuhet se u detyrua të paguante 200 stërlina (237 dollarë) për veprimin e tij javën e kaluar.

Megjithatë Kelly planifikon të ndërmarrë veprime ligjore kundër fituesit pesë herë të Topit të Artë, pavarësisht disa telefonatave nga Ronaldo dhe asistenti i tij personal që u përpoqën ta bindnin të mos ndërmerrte këtë rrugë.

Një ditë pas sulmit, Kelly thotë se një burrë i quajtur Sergio, i cili pretendonte se ishte asistenti i Ronaldos, i telefonoi asaj dhe i ofroi Jacobit mundësinë për të takuar Ronaldon.

Kur ajo hodhi poshtë mundësinë, Sergio dyshohet se e pyeti: “A e dini kush është Ronaldo?”

“Unë i thashë, ‘Sigurisht që po dhe përgjigja është jo. E mbylla telefonin, po dridhesha dhe po qaja. U ndjeva e frikësuar. Si guxojnë ata?”, shtoi Kelly, duke shpjeguar se Sergio e telefonoi edhe një herë disa ditë më vonë duke thënë se Ronaldo donte të fliste personalisht me të.

Kelly më pas e përshkroi Ronaldon si ‘burrin më arrogant me të cilin kam folur ndonjëherë’, me yllin që fillimisht u prezantua me emrin e tij të plotë përpara se të pyeste nëse Sara dhe Jacob donin të takonin familjen e tij.