Vendosni fjalën kyçe....

Rusët e arrestuar për spiunazh, ambasada: Ministria e Jashtme s’po na informon! Kërkesat tona nga 22 gushti pa përgjigje


Dy ditë pas sulmit të ushtarëve në Uzinën e armëve në Gramsh nga 2 rus dhe 1 ukrainas, ambasada ruse në Tiranë ka tentuar të marrë informacion të detajuar nga Ministria e Jashtme, por ende nuk e ka një përgjigje.

Kështu thuhet në reagimin e ambasadës ruse për gazetaren e Report Tv, Danjela Maloku.

“Pasi nuk morëm asnjë informacion nga autoritetet zyrtare shqiptare lidhur me ndalimin e shtetasve rusë të dyshuar për infiltrim më datë 20 gusht të këtij viti në objektin ushtarak në qytetin e Gramshit, Ambasada Ruse në Shqipëri dërgoi më datë 22 gusht të këtij viti një notë në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë me kërkesën për të vënë në dijeni misionin diplomatik rus, në mënyrën e përcaktuar, për identitetin e të ndaluarve, vendndodhjen e tyre aktuale, thelbin e akuzave të ngritura, veprimet e mëtejshme procesuale ndaj tyre, si edhe mundësinë e organizimit të një takimi të përfaqësuesit të Degës Konsullore të Ambasadës me shtetasit rusë të ndaluar.

Ambasada ka ndërmarrë gjithashtu në mënyrë të përsëritur përpjekje për t’u lidhur me MEPJ-në e Shqipërisë nëpërmjet telefonit apo postës elektronike. Megjithatë, deri në ditën e sotme të gjitha kërkesat tona kanë mbetur pa përgjigje. Përkatësisht, për rrethanat e incidentit, fatin e shtetasve rusë të ndaluar, si edhe akuzat e ngritura ndaj tyre ne mund të gjykojmë, bazuar vetëm në njoftimet e medias.

Për sa më sipër, nuk mund të mos ngjallë keqardhje fakti që pala shqiptare shmang zbatimin e ispozitave të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore 1963, e cila përcakton detyrimin e organeve kompetente të vendit pritës për të informuar menjëherë përfaqësuesit konsullorë për ndalimin dhe incidente të tjera që ndodhin me shtetasit e vendit që ata përfaqësojnë”, ishte reagimi i ambasadës ruse.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Shqiptarja