Vendosni fjalën kyçe....

Rikualifikimi i vijës bregdetare Vlorë-Radhimë-Orikum, hapet tenderi për lotin 2


Projekti për rikualifikimin e vijës bregdetare Vlorë-Radhimë-Orikum që po financohet me një hua 30 milionë dollarë nga Fondi Saudit për Zhvillim do të vazhdojë me Lotin 2.

Tashmë Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka njoftuar çeljen e procedurës duke ftuar kontraktorët e interesuar për të dërguar ofertat e tyre lidhur me këtë projekt.

Sipas njoftimit zbatimi do të zërë vend për një afat 24 muaj ndërkohë që parashikohet edhe 12 muaj që njihen si periudhë e njoftimit të defekteve.

“Procedura e tenderimit është Ofertë Konkurruese Ndërkombëtare për të gjithë Tenderuesit e kualifikuar siç përcaktohet në Udhëzimet për Prokurimin e Mallrave dhe kontraktimi për ekzekutimin e Punimeve të Fondit Saudit për Zhvillim; dhe do të ndjekë procedurën e paskualifikimit. Kriteret për t’u përdorur në vlerësim janë: (i) Përshtatshmëria, (ii) Situata financiare në 5 vitet e fundit, (iii) Përvoja në Ndërtim, (iv) Burimet njerëzore dhe pajisjet, (v) Metodologjia e ndërtimit (vi) Historia e çështjeve gjyqësore dhe të tjera.

Kontrata do t’i jepet ofertës më të ulët të përgjegjshme duke vlerësuar kriteret e mësipërme dhe duke krahasuar më pas të gjithë ofertën e paraqitur.

Raporti i Vlerësimit duhet të marrë miratimin paraprak dhe pa kundërshtim nga Fondi Saudit për Zhvillim (SFD). Tenderuesi i shpallur fitues duhet të jetë i regjistruar në Shqipëri përpara nënshkrimit të kontratës.” – thuhet në njoftimin e FSHZH.

Ofertat duhet të paraqiten jo më vonë se 21 tetori i këtij viti.

Projekti për vijën bregdetare

Rikualifikimi i vijës bregdetare Vlorë-Rradhimë-Orikum është vijim i projektit që nis në qytet dhe që njihet si Lungomare. FSHZH përgatiti më herët projektin i cili parashikon ndërhyrje përgjatë gjithë vijës bregdetare si dhe bypass-et në zonën e Ujit të Ftohtë.

Komponentët kryesorë të projektit përfshijnë ndërtimin e shtigjeve përgjatë vijës bregdetare, shëtitore, rrugë për biçikleta paralel me shëtitoren, trotuaret, gjelbërim, ndriçim sipas projektit të Fondit.

Rimodelimi i zonës prek 10 kilometra duke nisur nga Tuneli tek Marina në Orikum.

Agjencia zbatuese e projektit për huanë e marrë nga qeveria është Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Data e përfundimit të projektit do të jetë 31 dhjetor 2023, ndërkohë që data e mbylljes së marrëveshjes së huas do të jetë data 31 dhjetor 2024./N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor