Vendosni fjalën kyçe....

I gjetën kanabis në oborrin e shtëpisë, arrestohet 34-vjeçari në Lazarat


Një 34 vjeçar është arrestuar në Gjirokastër pasi dyshohet se kultivonte dhe shiste kanabis.

Arrestimi u bë në kuadër të operacionit “Gjokaj”, ku janë bërë kontrolle nga toka dhe ajri duke përdorur dronë.

Sipas policisë, në oborrin e banesës së 34-vjeçarit Alfred Skënduli në fshatin Lazarat u gjetën bimë kanabisi të mbjella dhe të tjera në proces tharjeje.

NJOFTIMI I POLICISË

Vijon kontrolli masiv i territorit, nga toka dhe ajri, duke përdorur edhe dronë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.

Në vijim të kontrolleve, organizohet nga Komisariatit të Policisë Gjirokastër, operacioni policor i koduar “Gjokaj”.

Evidentohet dhe goditet një rast i kultivimit të bimëve narkotike, vihet në pranga autori i dyshuar.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, si rezultat i kontrollit të imtësishëm të territorit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjokaj”, në fshatin Lazarat, Gjirokastër, në oborrin e banesës së shtetasit A. S., kanë gjetur të kultivuara dhe në proces tharjeje, bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestua në flagrancë shtetasi A. S., 34 vjeç, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.