Autoritetet ushtarake të Mianmarit kanë arrestuar ish-ambasadoren e Britanisë së Madhe në këtë vend, Vicky Bowman dhe bashkëshortin e saj.
Zonja Bowman është akuzuar për shkelje të rregullave të vizave dhe bashkëshorti i saj se e ka ndihmuar atë për të qëndruar në Mianmar – akuza që mund të rezultojnë në deri në pesë vjet burg.
Vicky Bowman shërbeu si ambasadore në Mianmar në vitet 2002-2006. Ajo është e martuar me Htein Lin, një artist burmez dhe ish-i burgosur politik.
Ajo drejton Qendrën e Mianmarit për Biznesin e Përgjegjshëm, me qendër në Yangon.
Siç shkruan BBC, dyshja janë dërguar në burgun Insein në qytet dhe data e gjyqit u është caktuar për në 6 shtator.
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar thotë se po i ofrojnë ndihmë konsullore ish-ambasadores.
Qendra MCRB e drejtuar nga zonja Bowman e përshkruan veten si “një nismë për të inkurajuar aktivitete të përgjegjshme biznesi në të gjithë Mianmarin”. MCRB bashkëpunon me Institutin për të Drejtat e Njeriut dhe Biznesin (IHRB), qëllimi i të cilit është “të bëjë respektimin e të drejtave të njeriut pjesë të biznesit të përditshëm”.
Regjimi ushtarak i Mianmarit është akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut. Në fillim të këtij muaji, gjeneralët e zgjatën rregullin e tyre të emergjencës deri në vitin 2023 pasi vendi mbetet i përçarë nga luftimet e brendshme.
Junta mori pushtetin vitin e kaluar pasi përmbysi qeverinë e zgjedhur të Aung Sung Suu Kyit.